Nevoja për organizator: Milani merkato në La Liga, tenton një kampion bote
Një mesfushor ofensiv është një nga objektivat e Milanit në merkaton e janarit. Shumë emra janë përfolur si kandidatë për të veshur fanellën e kuqezinjve italiane, teksa dyshja Maldini-Massara po punojnë në prapaskenë për t’i dhuruar Stefano Piolit lojtarin që dëshiron.
Fichajes.net raporton se një nga të preferuarit e drejtuesve të “Djallit” është Nabil Fekir, i cili u transferua dy vite më parë nga Lyon te Betis për shumën e 20 milion eurove.
28-vjeçari me origjinë nga Algjeria (25 ndeshje dhe 2 gola me Francën) ka kontratë deri në 2023 me klubin andaluzian, por bisedimet e rinovimit të kontratës janë ndërprerë.
Fekir, i cili fitoi Botërorin Rusi 2018 me kombëtaren franceze, numëron 3 gola dhe 4 asiste këtë sezon në kampionat dhe Europa League, dhe te Milani e pëlqejnë shumë faktin që lojtari mund të mbulojë disa pozicione në repartin ofensiv.
Emri i Fekir është lidhur edhe në të kaluarën me klubin italian, që do të paraqesë së shpejti një ofertë zyrtare për Betis, teksa duhet të mposhtë edhe konkurrencën e disa klubeve nga Premier League me Arsenalin në krye.




