Lajme të këqija për Inzaghin, dy mbrojtës do mungojnë për 15 ditë
Interi fiton dhe mban ritmin e Napolit kryesues, megjithatë për trajnerin Simone Inzaghi nuk vijnë lajme të mira nga infermieria. Mbrojtësit Andrea Ranocchia dhe Matteo Darmian u janë nënshtruar ekzaminimeve mjekësore, ku është konfirmuar se kanë tërheqje muskulore dhe do të mungojnë të paktën dy javët e ardhshme.
Dëmtimi i tyre është një lajm mjaft i keq për teknikun zikaltër, që nuk ka në dispozicion as holandezin De Vrij dhe për më tepër, në harkun e 10 ditëve do të presë Spezian, do të luajë në transfertë ndaj Romës dhe më pas ndaj Realit të Madridit.
Shpresat e Inzaghit janë që të paktën për sfidën me Romën fundjavën e ardhshme, të rikthehet holandezi De Vrij, që u dëmtua në eliminatoret e Botërorit dhe vijon të stërvitet i diferencuar, ndërsa për krahun e djathtë të mesfushës, do të ketë një garë mes Dumfries dhe D’Ambrossios për një fanellë titullari.



