VIDEO/ Newcastle nuk di të fitojë në këtë sezon, “qymyrxhinjtë” mbeten të fundit në klasifikim
Kanë luajtur 14 ndeshje në këtë sezon të Premier League, megjithatë kolona e fitoreve te Newcastle do të mbetet në zero edhe pas ndeshjes së mbrëmjes së sotme ndaj Norwich. “Qymyrxhinjtë” nuk shkuan dot më shumë se një barazim 1-1 në shtëpi përballë “kanarinave”, ndërsa në fund rrezikuan edhe ta humbisnin sfidën. Në fakt, ndeshja nisi e komprementuar për Newcastle duke qenë se në minutën e nëntë, mbrojtësi Clark u ndëshkua me karton të kuq pasi pengoi kundërshtarin i cili po shkonte i vetëm drejt portës.
Gjithsesi, pasi kaluan momentin e vështirë, vendasit arritën ta baraspeshonin sfidën ndërsa pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola. Në fraksionin e dytë, të besuarit e trajnerit Eddie Howe e gjetën golin me realizimin që erdhi falë një 11-metërshi të akorduar nga VAR, teksa nga pika e bardhë u paraqit Wilson. Portieri Krul kuptoi krahun dhe e devijoi sferën, por nuk arriti të shmangte golin.
Megjithatë, miqtë gjetën forcat për të reaguar dhe në minutën e 79 barazuan me sulmuesin e tyre kryesor Teemu Pukki. Finlandezi shënoi një gol të bukur pas pasimit të grekut Giannoulis, teksa nuk i la shans reagimi gardianit Dubravka.
Në fund, Norwich iu afrua ndjeshëm golit të fitores, por u ndalën nga gardiani Dubravka që mbajti të tijtë në lojë dhe iu dhuroi një pikë. Pas këtij 90-minutëshi, Newcastle mbetet në vendin e fundit të renditjes me vetëm shtatë pikë të grumbulluara ndërsa Norëich e sheh veten në vendin e 18-të me 10 pikë.



