Arapi debuton si trajner, Teuta sfidon Vllazninë në “Elbasan Arena”
Teuta për reagim, Vllaznia për konfirmim! Dy skuadra pretendente përballen këtë të premte në krye-ndeshjen e javës 11 të Abissnet Superiore. Një ndeshje delikate në debutim për Renato Arapin, i sapoemëruar në rolin e trajnerit për të ndryshuar kursin e Teutës.
Përballë gjen një Vllazni në krahët e entuziazmit të dy fitoreve radhazi që kanë shërbyer për të krijuar një atmosferë mjaft pozitive te kuqeblutë e Brdaric që pas sukseseve ndaj Kastriotit dhe Laçit kërkojnë një tjetër trepikësh që do ti afronte me kreun e renditjes duke ushtruar njëkohësisht presion ndaj rivalëve të Tiranës dhe Kukësit që luajnë një ditë më pas.
Në kampin durrsak përmbysja e pësuar në minutat finale nga Partizani, i ka kushtuar stolin Edi Martinit, dhe ndryshimi i trajnerit është një apel për motivim ekstra edhe për skuadrën, që në 4 ndeshjet e fundit në kampionat ka koleksionuar dy humbje dhe dy barazime, ecuri qartazi nën ritmin e një formacioni që i duhet të mbrojë titullin kampion.
Mungesë me peshë në kampin durrsak ajo e Albano Aleksit, që u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen me Partizanin, gjithsesi lajmi i mirë është rikthimi i Asion Dajës.
Ajo ndaj një Vllaznie sulmuese dhe që shënon, do të jetë një test i rëndësishëm për mbrojtjen durrsake që në këtë kampionat ka futur ujë, sidomos nëse e krahason me atë të vitit të kaluar, më të besuarit e Arapit që do të kenë përballë një skuadër me elementë produktivë përpara, front ku është shtuar së fundmi dhe një Ardit Hoxhaj në formën më të mirë.
Sfida e fazës së parë përfundoi në barazim 1-1, një rezultat që për momentin nuk do të kënaqte asnjë nga të dyja skuadrat, të etura për një sukses të rëndësishëm në rrugëtimin drejt objektivave sezonalë.



