“S’e kishim menduar kaq të lehtë”, Shehu: Kukësi? Laçi meriton respekt e vlerësim
Julian Shehu zhvilloi një ndeshje shumë të mirë në mesfushë dhe realizoi golin e tretë të Laçit në fitoren e thellë 5-0 ndaj Dinamos. 23-vjeçari foli pas triumfit në “Gol pas Goli” në Supersport, duke komentuar edhe sfidën e radhës ndaj Kukësit të vendit të dytë.
“S’e kishim menduar se do fitonim kaq thellë, por ndeshjen e kishim vlerësuar maksimalisht, pasi ishte ndeshje e vështirë. Jemi të lumtur për rezultatin, por sidomos për tri pikët, që janë gjëja më e rëndësishme.
Pozicioni që luaj më penalizon pak të jem më afër portës. Golat nuk janë primare, rëndësi kanë paraqitjet e mira dhe ndihma që i jap ekipit.
Kukësi? Laçi është ekip që meriton respekt, Kukësi duhet të na vlerësojë dhe respektojë maksimalisht”, deklaroi mesfushori i ekipit kurbinas.



