Ndaj Skënderbeut për vazhdimësinë, Daja pret suksesin e radhës
Një fitore si ajo ndaj Teutës, në frymën e fundit, është emocionuese, por padyshim që Ilir Daja ndaj Skënderbeut do të donte një sukses më të thjeshtë, duke i evituar rrahjet e forta të zemrës, apo edhe për faktin se fitore të tilla nuk ndodhin shpesh.
Partizani i tij pret Skënderbeun, me synimin për t’i dhënë vazhdimësi momentit pozitiv të krijuar me 2 fitore dhe një barazim në 3 ndeshjet e fundit. Skuadra e Migen Memellit gjithashtu vjen me një atmosferë pozitive, formacioni korçar në dy takimet e fundit ka ndalur dy prej pretendentëve të titullit, Teutën dhe Tiranën që përballë Skënderbeut nuk gjeti për herë të parë portën kundërshtare këtë sezon.
Te Partizani presin një ndeshje të fortë, por me objektiv të vetëm fitoren, për të rikuperuar terren në klasifikim. Celësi janë padyshim golat, dhe në këtë drejtim finalizimet e Stenio Junior dhe Tedi Carës në sfidën e fundit janë një një ogur i mirë, edhe për të krijuar më tepër vetëbesim te dy prej elementëve kryesorë të sulmit të kuq.
Pas sfidës me korçarët, kalendari për Partizanin ofron një seri përballjesh të forta me rivalë direkt, si Vllaznia, Dinamo, Kukësi dhe Tirana, çka e bën edhe më të rëndësishëm verdiktin e sfidës së kësaj të shtune.
Për një Skënderbe në kërkim të mbijetesës, çdo ndeshje është një rast i mirë për të parë pikë, dhe nuk bën përjashtim as kjo me Partizanin, me skuadrën e Memellit që deri më tani ka shfaqur pikërisht versionin e saj më të mirë, përballë kundërshtarëve të mëdhenj.



