La Liga

Real rigjen Jovic, sulmuesi kalon testin e trajnerit Ancelotti

Real Madrid konfirmohet si forcë e parë në La Liga, pasi mbrëmjen e të shtunës, madrilenët morën suksesin e radhës në San Sebastian përballë Sociedad. Një sukses i cili u zbeh disi me dëmtimin e Benzema në minutën 16-të, por në krahun tjetër ai që bindi ishte zëvendësuesi i francezit, Luka Jovic. Përpara sfidës me Real Sociedad, serbi kishte luajtur vetëm 106 minuta tregoj se nuk është i “ndryshkur”. 23 vjeçari ishte protagonist absolut në suksesin e 12-të sezonal, me një gol dhe një asist.

Rikthimi i Ancelotti në Madrid ishte me misionin për të shfrytëzuar në maksimum të gjithë potencialin që kjo skuadër disponon, nga emrat e rëndësishëm deri te lojtarët e rinj, por edhe të atyre që kishin humbur dhe ishin në hije. Tekniku italian krenohet me klasifikimin dhe formën e skuadrës, por në Spanjë, Ancelotti vlerësohet maksimalisht për rritjen e jashtëzakonshme të Militao-s dhe Vinicius dhe duket se tani është momenti i Luka Jovic.

Një pritje shumë e gjatë për sulmuesin serb, pasi realizimin e fundit me madrilenët e kishte shënuar në 9 shkurtin e vitit 2020 kundër Osasunës dhe tani me dëmtimin e Benzema, një dritë jeshile është ndezur për ish-sulmuesin e Eintracht Frankfurt.

Natyrisht vëmendja do të jetë te francezi, për të mësuar kohën e rikuperimit, por deri atëherë, Jovic do të provojë të bind teknikun dhe klubin se nuk është aspak i ndryshkur dhe është përsëri në gjëndje të bëjë mirë dhe të shpërblej besimin e drejtuesve, pasi në korrikun e 2019-së erdhi me shumë bujë nga Frankfurt-i.

Sfida e radhës ëshë në Ligën e Kampioneve ndaj Inter-it ndërsa fundjava rezervon derbin e Madridit përballë Atleticos dhe tani mbetet për tu parë nëse Ancelotti do t’i besojë sulmuesit një fanellë titullari.

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency