Shkupi kryesues siguron fitoren e radhës, triumf plot vuajtje për Shkëndijën
Shkupi dhe Shkëndija kanë marrë sot fitoret e radhës në kampionatin e Maqedonisë së Veriut. Bardhekaltrit kryeqytetas triumfuan 1-3 përballë FK Skopje dhe vijojnë të kryesojnë me 38 pikë pas javës së 16-të.
Freddy Alvarez kaloi shumë shpejt Shkupin në avantazh (7’), por një autogol i Konstantin Cheshmedjiev (42’) riktheu baraspeshën. Senegalezi Faustin Senghor riktheu Shkupin në avantazh në minutën e 55-të, teksa Alvarez realizoi golin e dytë personal në shtesa dhe vulosi suksesin e tretë radhazi të skuadrës së drejtuar nga Goce Sedloskit.

FK Skopje e mbylli sfidën me nëntë lojtarë pas ndëshkimit me kartonë të kuq të Audrey Yola Zepatta (68′) dhe Dino Najdoski (76′). Akademija Pandev e vendit të dytë ngeci në një barazim pa gola kundër Bregalnica dhe tani numëron 32 pikë, gjashtë më pak se Shkupi kryesues, teksa sheh t’i afrohen kampionët e Shkëndijës.
Kuqezinjtë nga Tetova mposhtën 2-1 në shtëpi ekipin e Pelisterit. Ish-lojtari i Flamurtarit, Victor Juffo kaloi në avantazh miqtë në pjesën e parë. Sidrit Guri barazoi takimin në minutën e 48-të, duke gjetur golin e pestë në kampionatin e Maqedonisë së Veriut.

Pelisteri mbeti me dhjetë lojtarë pas daljes me të kuq të Filip Boskovski (76’) dhe Shkëndija përfitoi duke gjetur golin e fitores katër minuta përpara fundit me anë të sllovakut Jan Krivak.
Fitorja e katërt radhazi për kampionët në fuqi, që renditen në vendin e tretë me 30 pikë, tetë më pak se Shkupi. Struga nuk ia doli të thyejë Tikves në shtëpi, ndeshja përfundoi pa gola dhe dy ekipet ndanë nga një pikë, me ekipin shqiptar që mban pozicionin numër gjashtë në renditje



