VIDEO/ Ralf Rangnick debuton me fitore tek United, “tris” i Tottenham
Fitojnë Manchester United dhe Tottenham, ndërsa Leeds United mjaftohet me një pikë në shtëpi. Ralf Rangnick debutoi me fitore si trajner i “Djajve të Kuq”, që mposhtën 1-0 Crystal Palace në “Old Trafford”.
Miqtë rezistuan mirë deri në minutën e 77-të, moment kur braziliani Fred realizoi një gol shumë të bukur dhe në shkallët e stadiumit nisi festa. Vendasit menaxhuan minutat e mbetura dhe arritën një fitore shumë të rëndësishme.

Vendi i gjashtë dhe 24 pikë për Manchester United, që ndodhet tre pikë larg zonës Champions. Tottenham nuk hasi probleme në shtëpi ndaj Norëich, kundërshtar të cilin e mposhti 3-0.
Ndeshja u zhbllokua nga një “predhë” e Lucas Moura në minutën e dhjetë. Davinson Sanchez dyfishoi për ekipin e Antonio Contes në mesin e pjesës së dytë, teksa pati festë edhe për Son-Heung Min.
Ylli aziatik finalizoi një aksion shumë të bukur të vendasve në minutën e 77-të dhe Tottenham e sheh veten në pozicionin numër pesë në Premier League me 25 pikë, një mbi United dhe dy pikë larg vendit të katërt.
Barazim 2-2 në përballjen Leeds United-Brentford. Ekipi i Marcelo Bielsa mbylli fraksionin e parë të ndeshjes në avantazh falë golit të uellsianit Tyler Roberts në minutën e 27-të.

Miqve u bëri mirë pushimi dhe përmbysën përkohësisht rezultatin falë dy golave të Shandon Baptiste dhe Sergi Canos, të realizuar brenda shtatë minutave.
Gjithsesi, Leeds tentoi deri në fund barazimin dhe e gjeti atë në minutën e pestë shtesë. Patrick Bamford shfrytëzoi një asist të Ayling dhe evitoi disfatën e skuadrës së tij.



