“Analizë Superiore”/ Statistika super dhe identike, më të mirët e Laçi-Dinamo janë dy
Laçi zhvilloi një nga ndeshjet më të mira të sezonit në fundjavë, triumfoi 5-0 ndaj Dinamos dhe shkon me moral të lartë në derbin e së enjtes kundër Kukësit. Pjesa e parë ishte e luftuar, por goli i Guindos i dhuroi avantazhit bardhezinjve, të cilët u shfaqën të papërmbajtshëm në fraksionin e dytë të takimit, ku gjetën rrugën e rrjetës edhe Regi Lushkja e Julian Shehu.
Mesfushorët e ekipit të Mirel Josës janë zgjedhur dy lojtarët më të mirë të ndeshjes, sipas statistikave dhe studimit të kryer në emisionin “Analizë Superiore” në Supersport, nën drejtimin e Sokol Xhihanit dhe Fation Bardhit, videoanalist i kombëtares U19.
Përqindje e njëjtë (79%), përveç golave të shënuar në fitoren me “manita”, sa i përket saktësisë së aksioneve të realizuara me sukses. Lushkja dërgoi në destinacionin e duhur 44 nga 50 pasimet e kryera (88%), ndërsa Shehu ishte disi më mirë, me 61 pasime të sakta nga 64 në total (94%).
Më mirë numri 10 i Laçit në duelet e fituara (70%), teksa Shehu doli triumfues në 7 nga 13 dyluftimet me lojtarët e Dinamos (54%). Lushkja realizoi me sukses 6 nga 8 pasimet drejt ¾ të fushës kundërshtare, ndërsa qendër mesfushori rikuperoi 6 topa në mesfushën e Dinamos.




