Çfarë ndodhi në javën e 11-të, “Analizë Superiore” zbulon statistikat e 5 dueleve!
Java e 11-të e Abissnet Superiores prodhoi deri diku rezultate të pritshme me skuadrat pretendente që morën maksimumin e pikëve. Gjatë kësaj jave u regjistruan dy fitore vendase, dy suksese të tjera në udhëtim dhe një barazim mes dy skuadrave që diskutuan titullin në javën e fundit të sezonit të kaluar. Spikat mbi të gjitha fitorja tenistike e Kukësit ndaj Kastriotit ndërkohë që në stastikat e publikuara nga emsioni Analizë Superiore në Supersport bie në sy fakti që me përjashtim të Partizanit asnjë nga skuadrat që kanë marrë pikët maksimale gjatë kësaj jave nuk kanë patur në favor kontrollin e topit.
Laçi-Dinamo 5-0
Laçi arriti të turpëronte Dinamon në Kurbin duke fituar me shifrat e thella 5-0 në një ndeshje ku skuadra e Josës u tregua shumë e saktë para porte sepse përsa i përket disa prej stastikave, Dinamo qëndron më lart. Blutë kanë një epërsi të lehtë në mbajtjen e topit por edhe në pasime dhe goditjet nga këndi. Laçi është superior përsa i përket tentativave në drejtim të portës, duleve të fituara dhe driblimeve.

Teuta-Vllaznia 1-1
Në Elbasan Arena u regjistrua barazimi i vëtëm i kësaj jave ai mes Teutës dhe Vllaznia, një ndeshje të cilën shkodranët e luajtën me një lojtar më pak për rreth 1 orë pas daljes me karton të kuq të kroatit Aralica. Por edhe pse në inferioritet numerik, kuqeblutë ishin superiorë ndaj Teutës përsa i përket goditjeve në portë, goditjeve të këndit, dueleve të fituara dhe driblimeve. Teuta ndërkohë kishte për pjesën më të madhe të kohës, kontrollin e topit, bëri më shumë pasime dhe humbi më pak topa, diçka normale kjo në një ndeshje që e luajti për 1 orë me një lojtar më shumë.

Egnatia-Tirana 0-2
Tirana u rikthye te fitorja pas dy ndeshjesh në transfertën rrogozhinase ndaj Egnatias duke ruajtur kreun e renditjes, por bardheblutë edhe pse fituan nuk ishim më mirë se Egnatia në statistika. Vendasit ishin superiorë mbajtjen e topit me 56% , por edhe në goditjet nga këndi, goditjet e dënimit, në pasime, duele të fituara dhe topa të humbur dhe driblime. Tirana qëndron më lart tek aspekti më i rëndësishëm siç janë goditjet në portë.

Kastrioti-Kukësi 1-6
Një ndeshje e dominuar nga verilindorët të cilët ishin superior edhe në pjesën më të madhe të aspekteve të lojës. Me përjashtim të mbajtjes së topit, ku krutanët kishin një epërsi të lehtë, Kukësi dominoi përsa u përket goditjeve në portë, pasimeve, driblimeve, godijteve nga këndi dhe goditjeve të dënimit. Një tjetër aspekt ku Kastrioti ishte më mirë ishin edhe duelet e fituara.

Partizani-Skënderbeu 2-1
Një fitore e vështirë për Partizanin por nëse u hedh një sy statistikave, kryeqytetasit ishin dominues pothuajse në çdo aspekt të lojës. Partizani kishte kontrollin e topit për pjesën më të madhe të kohës, dominoi përsa i përket goditjeve në portë dhe jashtë kuadratit, fitoi më shumë goditje dënimi dhe goditje nga këndi, bëri më shumë pasime se kundërshtari dhe fitoi më shumë duele. Skënderbeu që humbi dhe një penallti në këtë sfidë, vetëm te driblimet ishte më lart.




