Shkurt/ Ajaxi e gjen pasuesin e Onanas në Angli, Lazio ofertë Sarrit për rinovimin
Pavarësisht përgënjeshtrimeve, André Onana do të largohet nga Ajaxi në fund të sezonit. Portieri kamerunas, i cili është rikthyer disa javë pas skualifikimit për doping, është shumë pranë Interit dhe kështu klubi holandez tashmë po mendon për zëvendësimin e tij. Sipas shtypit anglez, Edwin van der Sar po kërkon të nënshkruajë me Dean Henderson, i cili është lënë në hije nga De Gea te Manchester United. Marrëdhëniet e mira mes dy klubeve mund të favorizojnë operacionin, i cili pritet të konkretizohet në formë huazimi me të drejtë blerjeje.

Claudio Lotito dëshiron të zgjasë kontratën me trajnerin Sarri, duke parë punën që po bën ai këtë vit me bardhekaltrit. Teksa Lazio është kualifikuar më tej në Europa League, presidenti dëshiron të zgjasë bashkëpunimin dhe është gati t’i ofrojë edhe 2 vite të tjera kontratë, por trajneri italian dëshiron garanci për merkaton. Ai do të paktën 2 lojtarë në janar dhe të largojë disa të tjerë, që nuk janë në planet e tij, e më pas mund të ulet në bisedime me presidentin.

Levante ka vendosur të vazhdojë të paktën deri në fund të sezonit me Alessio Liscin në stol. Trajneri 36-vjeçar u emërua fillimisht për të drejtuar ekipin pas shkarkimit të Javier Pereiras dhe e udhëhoqi skuadrën në një ndeshje të Copa del Rey. Për disa arsye, klubi ka vendosur të mos kërkojë zgjidhje të tjera dhe të vazhdojë kështu me italianin në krye të ekipit duke i besuar një mision të vështirë, mbijetesën në La Liga. Lisci u bashkua me Levanten në vitin 2011, me të cilët filloi karrierën e tij si trajner, duke drejtuar Juvenil A, Levanten B dhe tani ekipin e Parë.




