Conference League

Enigmat e fundit zgjidhen sot, njihuni me duelet në Conference League

Ndeshjet e fazës së grupeve të edicionit inaugurues të Ligës së Konferencës kanë mbërritur në stacionin e fundit dhe këtë të enjte do të përcaktohen edhe pesë skuadrat e mbetura që do të kompletojnë kuadrin e plotë të 16 klubeve që do të kenë të drejtën për të vijuar rrugëtimin e tyre në kompeticionin më të ri të Kupave të Evropës.

Pas pesë sfidave të para në tetë grupet e këtij aktiviteti janë kualifikuar duke siguruar madje edhe vendin e parë gjashtë klube: LASK Linz, Gent, AZ Alkmaar, Feyenoord, Copenhagen dhe Rennes.

Një biletë për në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë të edicionit hapës të UEFA Europa Conference League kanë garantuar gjithashtu edhe Bodo Glimt me Romën, që do të rivalizojnë në distancë për kreun e Grupit C si dhe klube si Basel dhe Qarabag që do të përcaktojnë pikërisht në javën përmbyllëse ekipin që do të kalojë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Grupi H për në fazën e 1/8 të këtij kompeticioni.

Rivaliteti vazhdon të mbetet tepër I fortë për të përcaktuar pra edhe ekipet e fundit që do të fitojnë të drejtën për të shkuar në fazën e knock out-it, ndërkohë për sa i përket skuadrave të tjera vetëm klubi i Maccabi-t të Tel Avivit është salduar në vendin e dytë të Grupit A, kështu që hierarkia si dhe gjithë skuadrat që do të pozicionohen në vendin e dytë në grupet nga B te H do të mësohen vetëm pas sfidave përmbyllëse të kësaj faze vërtet shumë të rëndësishme të këtij aktiviteti.

Formula tashmë dihet dhe nga kompeticioni tjetër Europa League do të vijnë gjithashtu edhe tetë skuadra të tjera, të cilat më datat 17 dhe 24 shkurt të vitit të ardhshëm do të zhvillojnë takimet e play off-it me ndeshje vajtje ardhje ndaj ekipeve që do ta mbyllin aventurën e tyre në vendin e dytë në Ligën e Konferencës.

Për momentin një status të tillë e kanë klube si Fenerbahce dhe Celtic që e kanë siguruar që dy javë më parë vendin e tretë në grupet e tyre respektive D dhe G në europa League. Aktualisht Tottenham-it dhe Romës iu është shtuar edhe klubi francez Stade Rennais në listën e skuadrave favorite për fitimin e trofeut, në edicionin hapës të Ligës së Konferencës, që siç dihet finalen e madhe do ta zhvillojë pikërisht në Tiranë, më datën 25 maj në Stadiumin “Air Albania”.

Nëse Roma dhe Rennes e kanë prerë biletën për në fazën e ardhshme klubi londinez duhet të bëjë vërtet shumë për ta merituar pjesëmarrjen për në turin tjetër. Ndeshja mes ekipit të Contes dhe Rennes është shtyrë për shkak të infektimit me Koronavirus të 13 pjesëtarëve skuadrës londineze.

 

Spurs i kanë fituar dy sfidat e para në kryeqytet, por ekipi londinez ka vuajtur shumë në sfidat jashtë fushe. Kështu futbollistët e Tottenham Hotspur fillimisht barazuan me shumë fat në Francë me Rennes, ndërsa në vijim lojtarët e klubit të mirënjohur anglez u mundën minimalisht në Arnhem me ekipin e Viteses. Për hir të së vërtetës në tre sfidat e para Spurs u drejtuan nga Nuno Espirito Santo, gjithsesi rezultatin më befasues “gjelat” e regjistruan dy javë më parë me trajnerin italian në timon, pas disfatës së turpshme me klubin e Mura-s në Slloveni.

52-vjecari puljez nuk është shquar kurrë me klubet që ka drejtuar në Kupat e Evropës e në fakt edhe Tottenhami i tij rrezikon të mbetet fare jashtë Evropës, ndonëse për momentin londinezët pozicionohen në vendin e dytë, thjesht për hir të golavarazhit. Me ndryshimin e rregullores nga UEFA në Kupat e Evropës dhe shfuqizimin e golit në fushë kundërshtare gjelat e kanë ende në dorë fatin e tyre.

Pavarësisht bilancit më të mirë në sfidat direkte Vitese renditet në vendin e tretë në Grupin G, me golavarazhin 9-8, pasi dy ekipet aktualisht janë në kuotë të njëjtë pikësh 7, ndërkaq golavarazhi i Tottenham-it është 11-8. Tottenhami ka fatin për ta zhvilluar takimin përmbyllës në shtëpi ndaj një ekipi të kualifikuar si Stade Rennais, që e ka garantuar pra edhe kreun në Grupin G, por vendasit janë në telashe pasi përballen me një situatë të vështirë, për shkak të infektimit në masë të lojtarëve dhe pjesëtarëve të tjerë të stafit drejtues.

Përveç panikut varianti i ri Omicron ka sjellë edhe një përshkallëzim të situatës së pandemisë së koronavirusit. Ditën e hënë në Premiership-in anglez u kryen plot 3.154 testime, te futbollistët dhe pjesëtarët e ndryshëm të stafeve, ku u regjistruan vetëm 12 raste pozitive gjithsej. Drejtuesit e Tottenham-it reaguan, duke e zhvilluar edhe konferencën për shtyp të trajnerit Antonio Conte në Hotspur Way me Zoom, pra pa praninë e gazetarëve.

Në deklaratën e tij 52-vjeçari nga Lecce pranoi se pas testeve më të fundit kanë rezultuar pozitivë 8 futbollistë dhe 5 pjesëtarë të stafit. Rregullorja e UEFA-s është e qartë dhe përgjigjja e emisarëve të saj ishte e prerë. Një ndeshje në Kupat e Evropës mund të shtyhet vetëm nëse një ekip nuk ka 13 lojtarë në total, ku përfshihet të paktën një portier në dispozicion.

Stade Rennais pozicionohet në vendin e dytë në Le Championnat, natyrisht pas kryesuesve të Paris SG dhe miqtë paraqiten në këtë takim pas fitores mbresëlënëse me shifrat 5-0 ndaj St. Etienne-t në kampionatin francez, për më tepër jashtë fushës së tyre. Vitesse ka fatin e madh që pret një ekip modest si Mura në sfidën e fundit, kështu që verdhezinjtë kanë një rast të shkëlqyer për të rregulluar gjithashtu edhe golaverazhin.

Të dy takimet do të luhen njëkohësisht në orën 21:00, gjithsesi sikur të mos mjaftonin dëmtimet dhe problemet e lojtarëve Sergio Reguilon, Cristian Romero, Ryan Sessegnon, Emerson Royal e Giovani Lo Celso tani mungesave të Tottenham-it iu shtohen edhe emra të tillë si Heung Min Son, Ben Davies apo dhe Bryan Gil që janë të shtrënguar për të qëndruar 10 ditë në regjim karantine.

Më herët në orën 18:45 interes shfaq gjithashtu edhe dueli CSKA Sofie-Roma, pasi verdhekuqtë e Jose Mourinho-s shpresojnë akoma te një shmangie e mundshme e turit të play off-it. Që të ndodhë kjo sigurisht futbollistët e klubit italian duhet të luten që ekipi I tyre të rikuperojë një pikë diferencë ndaj ekipit norvegjez Bodo Glimt, që në sfidën e fundit do të masë forcat në Zaporizhzhia me klubin ukrainas Zorya Luhansk, që klasifikohet i treti në këtë grup dhe i ka humbur shpresat për të kaluar në fazën tjetër.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency