Statistika të veçanta nga “Analizë Superiore”, çfarë prodhuan sfidat e javës së 12-të
Asnjë barazim nuk u regjistrua në javën e 12-të në Abissnet Superiore. Tirana dhe Skënderbeu kryen detyrat e shtëpisë ndaj Kastriotit dhe Egnatias, Teuta mposhti 0-1 Dinamon dhe i dhuroi Renato Arapit suksesin e parë si trajner në elitën e futbollit shqiptar, ndërsa Vllaznia dhe Laçi konfirmojnë momentin e mirë, duke siguruar fitore ndaj rivalëve të fortë si Partizani e Kukësi.
Emisioni “Analizë Superiore” në Supersport, nën drejtimin e gazetarit Sokol Xhihani dhe Fation Bardhit, videoanalist i kombëtares U19, publikoi statistikat e kësaj javë dhe atë që prodhuan pesë duelet e kampionatit shqiptar.
TIRANA-KASTRIOTI 3-0
Ekipi i Orges Shehi finalizoi saktë aksionet e krijuara dhe ndëshkoi 3 herë krutanët e vendit të fundit, por sfida ishte e fortë dhe e mbushur me duele. Diferencë e vogël në favor të Kastriotit (51%) qarkullimi i topit ndaj Tiranës (49%).
25:55 minuta ishte koha efektive e lojës së Tiranës, ndërsa për miqtë 27:19. Balancë sa i përket pasime të kryera dhe atyre të sakta, por edhe dueleve mes lojtarëve në fushë. Vendasit humbën 88 herë topin, ndërsa miqtë dy më shumë.
Njësoj të dy ekipet edhe në driblimet e tentuara dhe ato të realizuara saktë, me Kastriotin pak më mirë në të dy rastet. Tirana dominoi goditjet në portën kundërshtare, falë të cilave zgjidhi ndeshjen. Nga 12 goditjet e Seferit me shokë, pesë përfunduan në kuadratin krutan, nga të cilat 3 në rrjetë, ndërsa ekipi mik nuk gjuajti asnjëherë brenda shtyllave të Bekajt.

DINAMO-TEUTA 0-1
Një autogol i Edvan Bakajt, i cili po zhvillonte një tjetër ndeshje të madhe me pritjet e tij, vendosi duelin e luajtur në “Elbasan Arena”. Tripikësh i rëndësishëm për kampionët në fuqi, ndërsa “Blutë” nuk po dalin nga kriza.
Kohë efektive më të lartë regjistruan vendasit (28:35), teksa ishin më mirë në qarkullimin e topit (52%). Teuta gjuajti më shumë portën dhe kuadratin kundërshtar, si dhe numëron më shumë pasime të kryera dhe pasime të realizuara me sukses.
Baraspeshë sa i përket dueleve të zhvilluara, me lojtarët e Dinamos që fituan dy më shumë se miqtë. Më pak topa se kundërshtarët humbi skuadra e Bledi Shkëmbit, që tentoi më shumë driblime (31) kundrejt ekipit bregdetar (18), duke ia dalë të numërojnë një driblim të saktë më shumë se Teuta.

VLLAZNIA-PARTIZANI 1-0
Djemtë e Brdaric luajtën 45 minuta shumë të mira dhe shkuan në pushim në avantazh falë golit të Latifit. Vendasit mbetën me dhjetë lojtarë në pjesën e dytë, por “Demat” e Ilir Dajës nuk e shfrytëzuan superioritetin numerik të krijuar nga ndëshkimi i Ardit Krymit.
Më mirë u shfaq skuadra e Vllaznisë në lidhje me goditjet në dhe brenda portës kundërshtare, topat e humbur (dy më pak se Partizani) dhe numrin e driblimeve dhe të realizuara me sukses.
Edhe pse doli pa pikë, ekipi kryeqytetas dominoi në qarkullimin e topit (58%), kohën e lojës efektive (27:17 kundrejt 19:30 të Vllaznisë). Ndjeshëm më mirë Partizani në pasime dhe pasimet e sakta (114 më shumë se kuqeblutë), ndërsa kishte barazim duelesh (nga 250), me miqtë që fituan më 13 më shumë se vendasit.

KUKËSI-LAÇI 1-2
Laçi shënoi një gol më shumë dhe fitoi ndeshjen, por statistikat e lojës folën në favor të ekipit vendas, që dominoi sa i përket qarkullimit të topit me shifrën e lartë prej 74%. 41:10 minuta ishte loja efektive e djemve të Longos, ndjeshëm më mirë se bardhezinjtë (14:45).
Vendasit gjuajtën më shumë herë në portën kundërshtare (17-7), por ekipi i Mirel Josës u tregua më i saktë, duke dërguar në rrjetë dy nga katër topat e goditur në kuadratin kundërshtar.
Më mirë Laçi në topat e humbur dhe duelet e fituara, teksa pati baraspeshë sa i përket numrit të dueleve të zhvilluara në “Air Albania”. Kukësi u shfaq shumë më mirë në numrin e pasimeve dhe atyre të realizuara me sukses, teksa ekipi që renditet në vend të dytë dominoi edhe në lidhje me driblimet e tentuara dhe të realizuara.

SKËNDERBEU-EGNATIA 2-0
Ekipi korçar shënoi dy gola dhe futi në xhep 3 pikë fantastike në lidhje me objektivin e mbijetesës, duke barazuar me pikë në renditje (11) skuadrën nga Rrogozhina, që luajti takimin e parë me Zekerija Ramadanin në pankinë.
Vendasit ishin më mirë te goditjet dhe ato të përfunduara brenda kuadratit kundërshtar, por edhe në duelet e fituara, teksa Skënderbeu humbi më pak topa se ekipi mik.
Egnatia mbajti më shumë topin (59%) dhe regjistroi kohë efektive lojë më të lartë. Djemtë e Ramadanit dominuan edhe sa i përket pasimeve dhe pasimeve të sakta teksa skuadrat ishin në balancë në lidhje me duelet e zhvilluara në stadiumin e Korçës, por edhe në numrin e driblimeve të tentuara dhe të realizuara saktësisht.




