“Kriza ekonomike” prek edhe Aguero me Rooney, hedhin në treg dy makinat luksoze
Për shkak të rrogave marramendëse që grumbullojnë sezon pas sezoni, është tashmë i njohur fakti se në garazhet e futbollistëve mund të gjesh markat më luksoze të makinave. Sigurisht, kësaj liste nuk i shpëton edhe Sergio Aguero me Wayne Rooney.
Por, sulmuesi i Barcelonës dhe ish-lojtari i Manchester United kanë tashmë një të përbashkët, të dy kanë nxjerrë në shitje dy makina superluksoze, Lamborghini, të cilat kanë një vlerë të konsiderueshme.
Së pari bëhet fjalë për Lamborghinin e Wayne Rooney, tip Gallardo Spyder prodhim i vitit 2007. Kjo makinë e cila ka një shpejtësi maksimale prej 320 km/h kushton rreth 81.000 euro. Ndërkohë, mund të konsiderohet si e re duke qenë se Rooney e ka përdorur vetëm për 44.000 euro.

Nga ana tjetër, edhe Lamborghini aventador i Sergio Agueros mund të quhet i ri, teksa vetë argjentinasi ka theksuar më parë se është bërë pishman që e ka bërë pjesë të koleksionit të tij. Lamborghini i lojtarit të Barcelonës ka një vit prodhimi të 2014-tës, ndërsa ka një shpejtësi maksimale prej 349 km/h.

Vlera e makinës së Agueros është shumë më e lartë se ajo e Rooney teksa kushton plot 222.000 euro, kjo edhe sepse ajo ka përshkruar vetëm 4250 km. Kështu, të dyja mjetet luksoze gjenden në sitin britanik AutoTrader dhe aty mund të drejtohet çdokush që interesohet për të përvetësuar Lamborghinit e famshme.



