Sfidë dramatike në Katalunjë, Bare fiton “derbin” me Bardhin e Mustafin
Espanyol është rikthyer tek fitorja, duke mundur në një ndeshje spektakolare Levanten e vendit të fundit. Keidi Bare e niste nga stoli këtë përballje ndërsa si titullar e nisin Enis Bardhi dhe Shkodran Mustafi për Levanten që bëri gjithçka për të mos dalë pa pikë nga kjo përballje.
Darder zhbllokoi rezultatin pas vetëm 6 minutash lojë, por miqtë vendosën ekuilibrin 5 minuta më vonë me De Frutos. Pa u mbushur gjysmë ore lojë Levante arriti që të shënonte golin e përmbysjes me anë të Son, i cili me kokë ndëshkoi vendasit.
Pjesa e dytë nisi sërish me gol, me De Tomas që vendosi sërish ekuilibrin, por Levante u përgjigj sërish me Morales, duke kaluar për të dytën herë në avantazh. Pavarësisht se në vështirësi, të besuarit e Vincento Moros gjetën forcë për të shënuar golin e tretë me Puado, i cili çoi shifrat në 3-3.
16 minuta më vonë ishte sërish Puado ai i cili mori përsipër rolin e heroit duke shënuar golin e dytë personal dhe të katërtin për Espanyol, pas një topi të kthyer jo mirë nga portieri Dani Kardenas.
Për më shumë se 15 minuta Levante mbeti me 10 lojtarë pas një gjesti antisportiv të Son, i cili u ndëshkua me karton të kuq. Në të 80 në fushë u aktivizua dhe Keidi Bare, i cili u ndëshkua me karton të verdhë pak sekonda më vonë. Pavarësisht mundësive të krijuara, rezultati nuk ndryshoi deri në fund, me Levanten që vijon me paraqitjet e dobëta e mbetet në vendin e fundit të La Ligas.



