Kategoria Superiore

Daja: Mos prisni spektakël në derbi, do jetë duel i luftuar. Brdaric? I kujtoj çfarë ndodhi në 2011

Partizani luan nesër derbin ndaj Dinamos (e hënë, 19:45), ndeshje e vlefshme për javën e 13-të në Abissnet Superiore. Trajneri i “Demave”, Ilir Daja foli gjatë në konferencën për shtypin, duke u rikthyer te humbja në Shkodër, gjendja e skuadrës së tij dhe sfida ndaj Dinamos së Shkëmbit.

ANALIZA – “Për të qenë korrekt, kemi pohuar që kemi zhvilluar një pjesë të parë jo të mirë përsa i përket 90 minutave, ku Vllaznia ishte më mirë se ne në rastet e krijuara për shënim. Në pjesën e dytë e kemi zhvendosur lojën në gjysmëfushën e Vllaznisë kemi patur edhe ne 2 -3 raste për shënim kjo ka qenë pjesa që mund të flitet pas ndeshjes. Analiza është zhvilluar si zakonisht me video për të konstatuar se ku kemi bërë gjëra të mira dhe ku kemi gabuar”.

DERBI – “Derbi nuk ka të bëjë me rezultatet se si vijnë skuadrat në këtë përballje. Derbi është një ndeshje e veçantë që nuk shkon në sinkronë me vazhdimësinë që kanë ekipet. Sigurisht skuadrat vijnë pas humbjeve, por mos harrojmë që ne në këto 5 javë kemi 3 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje. Nëse nuk do të kishim bërë gabime në startin e kampionatit , mundet të ishim shumë më mirë me pikë. Gabimet na kanë kushtuar sepse në 5-6 ndeshje që kemi gabuar në mënyrë individuale do ti shtonim vetëm 1 pikë tani do të kishim 5-6 pikë më shumë në klasifikim.

Humbja ndaj Vllaznisë, edhe pse në Shkodër pranohen të 3 rezultatet, sigurisht ka një ndikim më të madh, pasi rikuperimi i pikëve që kishim filluar ndaloi në ndeshjen ndaj Vllaznisë dhe duhet të japim akoma më shumë në derbi. Pavarësisht se edhe derbi i ka në lojë të 3 rezultatet, pavarësisht se është i paparashikueshëm, por në fund derbi nuk luhet për spektakël, luhet për tu fituar dhe shpresojmë që të bëjmë maksimumin për të shkuar drejt fitores”.

MBROJTJA E DINAMOS – “Është një konstatim i drejtë që Dinamo ka pësuar shumë gola, por edhe sulmi ynë nuk është se ka shënuar shumë. Duhet të jemi efikas dhe cinik në shfrytëzimin e rasteve pasi në një ndeshje derbi ky dyluftimet janë të forta rastet nuk do të jenë të shumta dhe ne të përmirësojmë shënjestrën përpara portës”.

HUMBJA E FUNDIT – “Nuk është ndier një efekt shumë i madh negative, kjo edhe për faktin sepse pjesa më e madhe e seancave stërvitore kanë qenë me lojëra me qëllim, si pasojë edhe e kushteve atmosferike që nuk të lejon të bësh një stërvitje taktike të detajuar. Në lojëra me qëllim ekipi ka një tjetër entuziazëm një tjetër ritëm. Ne kemi analizuar ndeshjen me Vllazninë dhe kemi parë që kemi bërë gjëra të mira edhe në këtë takim. Psikologjikisht ndoshta kjo ndeshje nuk ka transmetuar një efekt negative sepse vinim nga një ecuri mjaft pozitive të paktën në 3-4 javët e fundit të kampionatit deri në takimin me Vllazninë”.

Mungesa e topave gjatë ndeshjes është konsideruar një justifikim i ulët i juaji nga traineri Brdariç? Ne si Partizani kemi etikë dhe duam që ndeshjen ta fitojmë nëpërmjet asaj që prodhojmë në fushën e lojës. Unë jam pyetur edhe pas ndeshjes dhe kam theksuar se nuk komentoj fjalët e kolegëve.

Meqë trajneri Brdariç e ka cilësuar të ulët komentin tim dhe si trajner gjerman që është do ti kujtoja që në prill të 2011 në Gjermani u kërkua të ndërpritej ndeshja, pasi gjyqtari kryesor u godit nga një bidon me ujë. Ne duam që tre pikët ti marrim me zotësi dhe jo me një sjellje të papërgjegjshme të një tifozi , pasi mund ti ndodhi çdo ekipi kjo gjë.

Edhe ne do të na vinte keq nëse do ishim në fitore dhe për shkak të një sjellje të gabuar ekipet e tjera të kërkonin të merrnin 3 pikët. Do kërkoj me forcë që futbolli të paktën të shkoj drejt një zhvillimi më të madh për sa i përket lojës efektive. Ky nuk ishte rasti i parë në Shkodër, ne kemi patur edhe raste në qytetet e tjera. Kemi patur raste edhe kur një kolegu ynë që për etik nuk do ta përmend ka hedhur një top në fushë për të vonuar lojën.

Unë e thashë edhe përpara ndeshjes që të luash në Shkodër është kënaqësi sepse tifozët shkodranë dinë të duartrokasin ekipin kur fiton dhe luan mirë, por për ta kujtuar Brdariç dhe një tjetër person të stafit të Vllaznisë (të më falni se nuk ia di emrin) që kishte përmendur që topi ishte në lojë do të them që topi në lojë është lojë efektive, lojë efektive për 32 minuta që ne ishim në superioritet numerik lojë efektive ka qenë 13 minuta e 7 sekonda.

Unë nuk e kam justifikuar ekipin se u hoqën topat dhe kjo ishte e vërtetë, por më është pyetur nga studio se përse nuk bëtë më shumë në këto 32 minuta dhe theksova që ka patur shumë pak lojë efektive dhe e matur pas ndeshjes ka qenë gati 1/3 e 32 minutave dhe këtë mund ta konstatoj edhe vetë Brdariç me stafin e tij.

Në përgjithësi unë kam respekt për kolegët, në veçanti edhe për Brdariç, sepse Vllaznia në drejtimin e tij ka bërë goxha mirë. Ne duhet të luftojmë të gjithë trajnerët dhe të pozicionohemi në të njëjtin front, sepse nesër mund ti ndodhi Vllaznisë, e më pas një ekipi tjetër.

Nëse duam që futbolli të zhvillohet, ne duhet që të vëmë rregullat e lojës dhe ti zbatojmë të gjithë në të mirë të futbollit, sepse nëse do kaloj një ekip në avantazh në minutën e parë atëherë më pas mos të këtë lojë dhe kjo është në dëm të të gjithëve është në dëm të futbollit.

Nëse ka gjëra që ne duhet ti përmirësojmë në të mirë të futbollit sigurisht që zëri im do të jetë i fuqishëm. Jo për tu justifikuar, por për të bërë që kjo lojë magjike të paktën ti afrohet atij ritmi dhe asaj kohe efektive që ndodh në Evropë apo edhe më gjerë në futbollin botëror.

MOTIVIMI – “Kur ekipi shkon në inferioritet numerik, pra një lojtar i del me karton të kuq dhe është në avantazh, kjo situatë është në favor të atij ekipi me një lojtar më pak sepse do të punoj vetëm në fazën mbrojtëse do kujdeset maksimalisht dhe do ngushtoj të gjitha zonat në drejtim të mbrojtjes. Është tjetër situatë kur ndeshja është në disavantazh të atij ekipi që është në inferioritet numerik. Mua në karrierën time më ka ndodhur si për ironi të fatit ka ndodhur në ndeshjen Dinamo-Partizani ku skuadra ka qenë me dy lojtar më pak por ndeshja ka qenë në barazim.

Është më mirë ta interpretosh ndeshjen në barazim ose kur je në avantazh në inferioritet numerik dhe kjo ndodh edhe në ndeshjet me Vllazninë dhe Dinamon që kemi zhvilluar sepse ekipi kundërshtar nëse do të jetë me 11 lojtarë do të punoj edhe ai në të dyja fazat dhe mund të lejoj edhe hapësira mbrapa, ndërsa kur është në avantazh ngushtohen këto zona dhe është pak e vështirë për ta përmbysur rezultatin”.

GJENDJA E PARTIZANIT – “Lexova që Damçevski është operuar në gju. Damçevski mungon që prej ndeshjes me Egnatian sepse ka pësuar një frakturë në dy brinjë dhe ka patur edhe një problem në mushkëri gjatë kësaj goditje. Para dy ditësh është operuar në mushkëri dhe operacioni ka dal me sukses. I urojmë që ti bashkohet grupit sa më shpejt, në radhë të parë shëndeti i lojtarit dhe në radhë të dytë ndihma që do të na japi. Gligorov ka pësuar një tërheqje muskulore ndaj Vllaznisë. Alban Hoxha dje për të parën herë është stërvitur në portë në stërvitje. Ka patur një frakturë në gisht dhe pa u rikuperuar plotësisht kjo lloj frakture nuk mundet që të luaj me duar”.

PRESIONI – “Presioni është edhe te ne edhe te Dinamo për vetë pozicionet në klasifikim. Natyrshëm që është shkëputur vendi i parë ndërsa vendi i tretë është 5 pikë larg. Ndeshja do të jetë e luftuar sepse të dyja ekipet do luajnë për ta fituar, por ne kemi patur një ecuri më të mirë dhe ndoshta jemi pak më të favorizuar se Dinamo për të shkuar drejt fitores”.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency