Statistika e veçantë e Superiores, goli “pronë e të huajve”
Në 13 javët e luajtura deri më tani, 10 skuadrat e Abissnet Superiores ia kanë dalë që të shënojnë 158 gola, por bie në sy fakti që pjesa më e madhe e tyre janë realizuar nga lojtarë që nuk kanë pasaportë shqiptare. Duke përfshirë dhe futbollistët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, plot 92 gola janë realizuar nga futbollistët e huaj, duke qenë dominues ndaj lojtarëve me pasaportë shqiptare. E thënë në përqindje, pak më shumë se 58% e golave të shënuar deri më tani mbajnë firmën e lojtarëve që nuk zotërojnë pasaportën e vendit tonë.
Vetëm tri skuadra shënuesin më të mirë e kanë me pasaportë shqiptare, Tirana Seferin, Partizani Carën dhe dhe Kastrioti Ajazin, emra që mbajnë lart flamurin si shënuesit më të mirë të skuadrave të tyre. Ibraimi është shënuesi më i mirë i Dibnamos, por kapitei i bluve zotëron vetëm pasaportën maqedonase.
Kukësi i falet Bashës, Vllaznia Aralicës, Laçi Guindos, Teuta Gorgievit, Skënderbeu sulmuesit Mesah dhe Egnatia Pedro Agustos. Drejtuesit e klubeve besojnë më shumë tek emrat e huaj tek reparti i avancuar, diçka që edhe këtë edicion është mjaft e theksuar.



