Premier League

Conte nuk heq dorë nga Europa: E meritojmë ta zhvillojmë ndeshjen ndaj Rennes, ja pse nuk luajtëm

Në mesjavën e kaluar, Tottenham vendosi të mos zbresë në fushë për ndeshjen e Conference League ndaj Rennes. Edhe pse skuadra franceze kishte mbërritur në Londër, anglezët u justifikuan me shkakun se shumë prej futbollistëve ishin të infektuar me COVID-19, por kjo zgjedhje i ka vendosur në rrezik serioz vazhdimësinë në Europë.

Klubi francez këmbëngul se nuk ka arsye për të udhëtuar sërish në Angli duke qenë se ata u paraqitën sipas kalendarit dhe ishin të gatshëm të luanin, ndërsa UEFA nga ana tjetër ende nuk ka marrë një vendim zyrtar lidhur me këtë situatë.

Së fundmi, trajneri i Spurs, Antonio Conte ka theksuar se ekipi i tij e meriton ta luajë ndeshjen e fundit të grupeve në Conference League dhe të kërkojë kualifikimin, ndërsa thekson se të tijtë nuk zbritën në fushë për arsye se qëndra stërvitore kishte qenë e mbyllur prej tre ditësh.

“Duam ta luajmë ndeshjen ndaj Rennes, mendoj se e meritojmë këtë. Është një situatë e çuditshmë, por nuk është faji i jonë. Ka qenë problem sepse qeveria vendosi të na mbyllë qendrën sportive për tre ditë dhe për këtë arsye ne nuk luajtëm.

Jo sepse kishte diçka tjetër, ne jemi të ndërgjegjshëm për atë që ndodhi. Por, meritojmë ta luajmë ndeshjen e fundit të grupit dhe të provojmë të marrim kualifikimin”, u shpreh Conte.

Kujtojmë se në rast se UEFA vendos që takimi të mos luhet dhe t’i akordojë fitoren në tavolinë Rennes, atëherë Tottenham nuk do të kualifikohej për më tej pasi janë të tretët në grup dhe në vend të tyre do të kalonin holandezët e Vitesse. Ndërsa, francezët në këtë pikë janë të qetë pasi kanë siguruar vendin e parë në grup.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency