Zyrtare/ Manolas largohet nga Napoli dhe rikthehet në klubin grek
Kostas Manolas nuk është më futbollist i Napolit. Mbrojtësi 30-vjeçar grek ka vendosur të kthehet në atdhe dhe pas fluturimit të djeshëm drejt Athinës, sot kreu vizitat mjekësore dhe bëri prezantimin zyrtar te klubi i Olympiacos.
Napoli pagoi 36 milionë euro në arkat e Romës, për të blerë kartonin e mbrojtësit grek në verën e 2019-ës, por pas dy vitesh e gjysmë e ka shitur për vetëm 3 milionë euro, ose më pak se 10% e vlerës së shpenzuar për blerjen.
Mbrojtësi 30-vjeçar udhëtoi dje drejt Greqisë dhe madje mori edhe një gjobë pasi kishte shumë para kesh me vete, ndërsa sot ka kryer vizitat mjekësore te Olympiacos dhe më pas ka mbërritur në zyrat e klubit, për të firmosur kontratën.
Manolas ka luajtur te Olympiacos edhe në periudhën 2012-2014, para se të transferohej te Roma në Serinë A dhe rikthimi i tij u prit me entuziazëm nga tifozë të shumtë të klubit grek, të cilët kishin dalë ta prisnin. Vetë Manolas iu bashkua korit të tifozëve dhe pozoi me shallin e klubit nga Pireu, para se të hidhte firmën mbi kontratë dhe t’i hapte udhë zyrtarizimit të rikthimit.
Mbrojtësi e nisi si titullar sezonin nën drejtimin e Spallettit, por shumë shpejt dorëzoi vendin te Amir Rrahmani, pasi po shfaqte shumë pasiguri dhe tani drejtuesit e klubit napolitan kanë vendosur ta largojnë njëherë e mirë.



