Ish-drejtuesi i Juves pesimist: “Vështirë ta mbyllin kampionatin në katërshen e parë”
Juventusi po vuan këtë sezon në Serie A. Rekordmenët e futbollit italian e kanë nisur keq kampionatin dhe renditën në vend të shtatë me 28 pikë, 15 larg Interit kryesues dhe 8 larg zonës Champions League.
Bardhezinjtë luajnë sot në transfertë kundër Bologna dhe nga kampi kundërshtar nuk mungojnë thumbimet. “Juventusi është një kundërshtar direkt i yni, në fushë duhet të futemi me ndërgjegjen se duhet të ecim me 100 km/h”, u shpreh trajneri Sinisa Mihajlovic.
Ndërkohë, edhe Luciano Moggi shprehet pesimist në lidhje me ecurinë e “Zonjës” në kampionat. Ish-administratori i përgjithshëm i Juventusit, mendon se ekipi i Allegrit nuk do arrijë të kualifikohet në Champions për sezonin e ardhshëm.
“Juventusi duhet të ndërrojë fytyrë, edhe pse pas 9 titujsh radhazi është normale të marrësh një vit pushim për të medituar në mënyrë që të prezantohesh me një maskë të re dhe fitimtare, dhe gjithmonë me Allegrin në stol.
Barazimi duket si rezultati më i mundshëm në transfertën me Bologna, por pika nuk do i bënte aspak punë Juves, që ka si objektiv renditjen në një nga katër vendet e para.
Sigurisht që nuk do jetë aspak e lehtë të realizohet ky objektiv, pasi ekipet e kreut janë shumë larg dhe mbi të gjitha ndodhen në formë shumë më të mirë se Juventusi”, deklaroi Moggi, i cili provoi një aventurë të shkurtër në futbollin shqiptar te Partizani.




