Ramadani: Ndeshja më e mirë prej kohës që jam këtu, dy arsye pse pësojmë në këtë formë
Egnatia ka dalë sërish e mposhtur nga sfida e sotme në Abissnet Superiore teksa Laçi fitoi në fushën e tyre me rezultatin 0-2. Trajneri Zekirija Ramadani i cili ende nuk ka shijuar pikët e para me rrogozhinasit, ka folur në Supersport për emisionin Gol Pas Goli, teksa ka theksuar se i vjen keq për mënyrën si e pësuan golin e parë të sfidës, ndërsa shton se në këtë ndeshje ekipi ka bërë ndeshjen më të mirë prej kohës kur ai është në krye të Egnatias.
Tjetër humbje, sërish pa shënuar- “Humbja na mërzit, por më vjen keq si pësuam golin e parë. Tre ndeshje radhazi që pësojmë në këtë formë dhe pse kishim punuar në këtë aspekt. Ose nuk kemi punuar mirë, ose mungesë përqëndrimi dhe përgjegjësie. Në lojë ishim më mirë, u mundëm nga një ekip më i mirë teknikisht dhe fizikisht. Kjo ka qenë paraqitja më e mirë që kur kam qenë këtu. Kjo humbje rëndon gjendjen psikologjike, por nuk duhet të na vijë keq se ata ishin më mirë se ne. Goli i dytë më pas erdhi se ramë moralisht. Mendonim se pika e fortë do të ishte shpejtësia e sulmuesve, por nuk arritëm. Për të marrë pikë duhet të japim më tepër se sot.
Sot kemi qenë më të kujdesshëm se golin e parë e pësuam nga goditja standarte dhe kemi qenë më të rrezikshëm në sulm. Pësuam në momentin më të mirë dhe kishim disa gjysmë raste, më pas erdhi ndëshkimi. Ne gjatë javës flasim me lojtarët dhe shohim momentet e mira që të motivojmë ekipin, por këto humbje ndikojnë shumë dhe një rezultat pozitiv do na kishte ndihmuar. Edhe një pikë do ishte e mirëseardhur”, u shpreh Ramadani.



