Shkurt/ Bielsa synon McKennie-n, City gati rinovimin me portugezin
Edhe pse konsiderohet shumë i rëndësishëm për Atleticon e Madridit, Kieran Trippier mund të largohet menjëherë gjatë merkatos së janarit. Klubi spanjoll mund ta lërë të lirë mbrojtësin që kërkohet me insistim nga Newcastle, për shumën e 20 milionë stërlinave. Trajneri i “Los Cholconeros”, Simeone, e vlerëson shumë anglezin dhe nuk dëshiron të provohet nga shërbimet e tij, pasi Sime Vrsaljko nuk e bind shumë numrin një të stolit në prapavijë, por drejtuesit kanë nevojë për të ardhura dhe shitja e Trippier nuk përjashtohet.

Kriza e rezultateve, që ka përfshirë, Leeds United, e ndikuar kjo edhe nga mungesat e shumë lojtarëve për shkak dëmtimesh, ka detyruar drejtuesit të nisin punën për të përforcuar skuadrën, në mënyrë për të mënjanuar rëninen nga kategoria. Trajneri i Leeds, Bielsa u ka kërkuar drejtuesve mesfushorin e Juventusit, Weston McKennie. 23-vjeçari, i cili iu bashkua italianëve në vitin 2021 nga Schalke 04, nuk ka në plan të largohet, pasi dëshiron të luftojë për një vend në formacionin e Allegrit, por “Zonja e Vjetër”, në rast të ofertës së duhur, është gati ta shesë futbollistin. Vlera e kartonit të amerikanit kap shifrën e 20 milionë stërlinave, shumë të cilën, klubi anglez mund ta paguajë pa shumë vështirësi që në janar.

Manchester City është gati t’i rinovojë kontratën Joao Cancelo, edhe pse kontrata aktuale e portugezit përfundon në qershor të vitit 2025. Trajneri i Cityzens, Pep Guardiola, u ka kërkuar drejtuesve të klubit të blindojnë futbollistin, i cili konsiderohet shumë i rëndësishëm për të ardhmen e skuadrës. Sipas mediave, drejtuesit e klubit janë gati të nisin bisedimet me menaxherët e 27-vjeçarit për kushtet e reja të kontratës. Në rast se palët arrijnë marrëveshjen, paga e Cancelo do të ketë një rritje të konsiderueshme, pasi lojtari do të përfitojë rreth 7 milionë stërlina në sezon.

Trajneri i Tottenhamit, Antonio Conte, ka nisur të mendojë për të ardhmen e repartit të sulmit. Duke ditur situatën që u krijua lidhur me kapitenin Harry Kane, i cili ka kohë që mendon largimin nga Spurs-at, italiani, për t’u paraprirë suprizave të pakëndshme, po monitoron me kujdes “yllin” e Sassuolos, Gianluca Scamacca, i cili po bën një paraqitje të mirë me skuadrën italiane, ku në 18 javë ka realizuar 6 gola. Sipas mediave angleze, drejtuesit e londinezëve pritet të nisin kontaktet e para me klubin Italian gjatë merkatos së janarit për t’i bindur ata ta lënë futbollistin të lirë gjatë verës. Në ndjekje të sulmuesit, ka kohë që është edhe Milani që gjithashtu do të synojë të arrijë te futbollisti.




