Kategoria Superiore

Rustami: Kemi mangësi në organikë, jemi me sytë nga merkatoja

Në mungesë të Ramadan Ndreut, i pezulluar për 12 javë, Kastrioti u drejtua nga zëvendës-trajneri Shkëlzen Rustami, i cili në përfundim të ndeshjes me Laçin evidentoi problemet me organikën dhe deklaroi se pret që skuadra të përforcohet në janar.

Në pjesën e parë u pa një skuadër e vakët dhe reagoi shumë vonë…
Duke parë formën mjaft të mirë të Laçit, e kishim menduar që në pjesën e parë të ishim pak më të kujdesshëm. Mungoi agresiviteti, por jo dëshira për të bërë mirë. Morëm një gol për mungesë përqendrimi në pjesën e parë, ndërsa më pas ndryshuam dhe morëm kontrollin e lojës, por u ndëshkuam në momentin më të mirë tonin. Megjithatë kjo është diferenca mes dy ekipeve, pasi Laçi u tregua racional dhe nuk fali në rastet që pati, ndërsa ne shpërdoruam shumë.

Çfarë po ndodh me Mudrazija-n, që po merr shumë pak minuta në javët e fundit?
Dëmtimi i Ajazit na prishi punë, pasi është sulmuesi ynë kryesor, ndërsa Mudrazija ka qenë gjithmonë rezervë. Jo se nuk besojmë te ai, por pretendojmë që të japë shumë më tepër në fushën e lojës.

Çfarë i duhet Kastriotit për të synuar mbijetesën?
Vitin e kaluar ne morëm shumë pikë në fazat e para, ndërsa këtë herë na mungojnë pikët, pasi jemi vonuar në përgatitje. Merkato e vonuar, përgatitje e vonuar, etj., kanë pasur ndikimin e duhur, por nëse afrojmë lojtarët që na duhen në janar, them se do të luajmë shanset tona për të mbijetuar.

A mjafton vetëm rikuperimi i lojtarëve që keni aktualisht në organikë?
Sigurisht që ne presim të rikthejmë në formën më të mirë emrat që kemi aktualisht, por na duhen patjetër përforcime, pasi shpesh po luajmë me mesfushorë në qendër të mbrojtjes. Jemi të kufizuar te organika, ndaj duhet të ndërhyjmë patjetër.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency