Brdaric: Nuk jam Zoti, e stresojmë Kukësin. Longo? Ndryshon shpesh mendim…
Vllaznia pret Kukësin në “Loro Boriçi” nesër (16:45), takim shumë i rëndësishëm për dy ekipet. Trajneri i ekipit shkodran foli në prononcimin për mediet rreth sfidës me ekipin verilindor, teksa nuk mungoi replika me homologun Diego Longo.
NDESHJA – “Ne duhet të jemi shumë të përgatitur ndaj Kukësit. Skuadra duket me shumë vetëbesim dhe e gatshme për nesër. Si ne dhe Kukësi, jemi skuadra që duam të luajmë futboll. Duhet të përqendrohemi në mbrojtje dhe të tregojmë se nuk jemi ekip i lehtë për t’u mundur”.
KRAHASIMI – “Longo tha se Tirana dhe Partizani janë ekipet më të mira? Ai i ndryshon shpesh mendimet e veta. Për mua ka rëndësi të fitojmë nesër, pastaj secili mund të thotë atë që do”.
RIVALI – “Kemi bërë analizën e duhur të Kukësit. Ata e shijojnë të luajnë këtu, sepse është një stadium shumë i bukur. Dua të falënderoj fansat, ata më kanë mbështetur shumë. Duhet të jemi krenarë për ta, nesër duhet të marrim pikë për ta”.
FITORJA – “Nuk jam Zoti, jam një trajner. Ajo që premtoj është të japim maksimumin dhe t’i shkaktojmë stres Kukësit. Kemi besim tek ekipi ynë, kemi lojtarë të gatshëm për të treguar veten. Merkato? Jemi të hapur për përforcime”.



