Adili: “Harrojeni” Vllazninë e bukur, jemi ne Zot shtëpie në “Loro Boriçi”
Vllaznia kërkon ta mbyllë me fitore vitin 2021, por përballë do të ketë një rival të vështirë si Kukësit. Dy ekipet veriore do të përballen mes tyre nesër në “Loro Boriçi” (16:45), përballje rreth së cilës foli për mediet mbrojtësi Mevlan Adili.
“Vjet ishim më të bukur në fushë, por nuk ishim të suksesshëm në fund me rezultate. Sivjet nuk do të jemi të bukur, por do të gëzojmë suksesin në fund.
Mendoj se kemi punuar shumë mirë në stërvitje këto ditë. E dimë se çfarë kundërshtari do të kemi përballë, por mua më ka djegur shumë humbja në fazën e parë kundër Kukësit.
Kishim rastet tona, por nuk i shfrytëzuam ato dhe në fund e pësuam. Nesër është dita jonë më e mirë për të treguar se Kukësi arriti një fitore të rastësishme dhe se ne jemi të zotët e kësaj fushe”, përfundoi mbrojtësi i kuqebluve.



