Një kampion Europe dhe një sulmues, Milani përgatit dy dhurata për Piolin
Milan e mbylli vitin kalendarik me fitoren 2-4 kundër Empolit, renditet në vend të dytë në Serie A me katër pikë më pak se Interi dhe do të luftojë deri në fund për fitimin e titullit kampion. Për t’ia dalë duhen përforcime në merkato dhe Stefano Pioli pret të paktën dy dhurata nga drejtuesit: një qendërmbrojtës dhe një sulmues.
Dëshira e madhe për prapavijën është Sven Botman i Lille, por kampionët e Francës kërkojnë minimalisht 30 milionë euro për të lënë të lirë 21-vjeçarin holandez. Emri i fundit që lidhet me qendrën e mbrojtjes së Milanit është Francesco Acerbi.
33-vjeçari ka prishur çdo raport me tifozët e Lazios dhe i ka orët e numëruar në kryeqytetin italian. Acerbi ka veshur fanellën e “Djallit” në sezonin 2012-2013, është zgjidhja më e lirë për momentin, teksa vlerësohet eksperienca e madhe e tij, që do ndihmonte shumë edhe Fikayo Tomorin.
Sulmi? Ibrahimovic, Giroud dhe Pellegri janë përballur me probleme fizike dhe Pioli ka nevojë për një tjetër lojtar ofensiv. Në orbitën kuqezi është rikthyer Kolo Muani. Maldini dhe Massara e pëlqejnë shumë 23-vjeçarin me origjinë nga Kongo, i cili numëron 7 gola dhe 3 asiste këtë sezon me Nantes në Ligue 1.
Çmimi i kartonit ka prekur shifrën e 10 milionë eurove, por qendërsulmuesi (aktivizohet edhe në krahun e djathtë të repartit) ndodhet në vitin e fundit të kontratës me Nantes dhe mund të përfundojë në Serie A për një shifër më të vogël.



