Partizani, një skuadër që duhet të ndryshojë
15 pikë larg kreut, 2 derbi të humbur, dhe vetëm 4 fitore në 15 javë kampionat. Partizani i këtij sezoni është dukshëm larg pritshmërive. Të gjithë mendonin një skuadër që do të ishte në “pole position” në luftën për titull, por deri më tani skuadra nuk ka mundur të ngjitet në lartësinë e ambicieve të drejtuesve dhe tifozëve.
E kotë të qahen ende ndryshimet e bërë në verën e kaluar, edhe pse vetë kampionati ka konfirmuar se ishin të nxituara, ato i përkasin të kaluarës, dhe në kampin e kuq duhet të shohin nga e ardhmja. Është e vërtetë që Partizani këtë sezon deri tani është penalizuar së tepërmi edhe nga gabimet individuale, por diferenca me kreun njëkohësisht është dhe konfirmimi se diçka mungon.
Më shumë se gjithçka, golat. Vetëm 15 të shënuar! Rendiment që e nxjerr në pah sulmin Ilir Dajës si më pak efektivin ndër skuadrat e pjesës së sipërme të tabelës. Trajneri vë theksin te loja, dhe në daljet publike ka marrë në mbrojtje elementët e sulmit, por ndërkohë shpërdorimi i rasteve është evident.
Skuadrës i mungon cinizmi, dhe për ta thënë troç, një qendërsulmues race. Tedi Cara në disa ndeshje nuk ka finalizuar si duhet, ndërsa Stenio Junior, pavarësisht talentit dhe aftësive është më i përshtatshëm për të bërë lojtarin e krahut. Trajneri pret dhe Lucas Cardozon për tu rikthyer nga dëmtimi, por një lojtar që ka munguar kaq gjatë është gjithmonë një bast i vështirë për tu fituar.
A mund të jetë shpëtimi te merkato, këtë mund ta vendosin vetëm drejtuesit dhe Daja që pas derbit la të kuptohet se do të ulet me ta për një analizë të thellë duke vënë madje në dispozicion edhe pozicionin e tij si trajner. Një deklaratë në të nxehtë, pas një humbje që djeg? Edhe kjo mbetet për tu parë. Ajo që është e qartë është se pas 15 javëve që e përcaktojnë si një skuadër të mestabelës, Partizani ka nevojë të ndryshojë!



