Ekskluzive/ Përforcim i dyfishtë për Kastriotin, dy afrime nga kampionët e Teutës
Kastrioti e mbylli vitin 2021 në vend të fundit në Abissnet Superiore. Ramadan Ndreu u largua nga posti i trajnerit, duke u zëvendësuar nga Emiliano Çela, i cili luajti katër sezone tek ekipi krutan.
Ish-kapiteni i Kastriotit do të provojë aventurën e parë si trajner në karrierë, teksa drejtuesit e klubit i kanë bërë dy dhuratat e para 36-vjeçarit.
Supersport mëson se Adolf dhe Santiago Selmani janë lojtarët më të rinj të Kastriotit, i cili ka si objektiv qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar.
Dy vëllezërit vijnë nga Teuta, teksa më parë kanë qenë pjesë e Laçit në Superiore. I pari është 21 vjeç dhe aktivizohet në qendër të mbrojtjes, ndërkohë që numëron 9 ndeshje dhe 2 gola me Shqipërinë U21, ndërsa Santiago është dy vite më i vogël dhe luan si sulmues.
Dy lojtarët kanë dalë sot në stërvitje me Kastriotin, që ndeshjen e parë të vitit 2022 do e zhvillojë në shtëpi kundër Teutës së Edi Martinit.

Vëllezërit Selmani në stërvitje me ekipin krutan



