Guardiola: Diçka më çudit në Angli, kam një thirrje për tifozët
Manchester City pret Leicester City në “Etihad” sot (16:00). Ekipi i Pep Guardiolës kryeson Premier League me një pikë mbi Liverpoolin dhe ndaj “Dhelprave” do synojë fitoren e nëntë radhazi në kampionat.
Anglia është goditur nga një valë e re pandemie, disa ndeshje janë shtyrë, teksa drejtuesit e futbollit mund të vendosin për zhvillimin e ndeshjeve pa tifozë ose me një numër të reduktuar.
Një gjë e tillë e shqetëson Pep Guardiolën, i cili fton tifozët ta vaksinohen dhe të mbajnë maska në këtë periudhë aspak të lehtë. “Sinqerisht që nuk do më pëlqente të luanim pa tifozë.
Nuk e imagjinoni se sa ndryshe është të luash me publik, por rastet pozitive po shtohen në gjithë botën. Njerëzit shkojnë në stadiume dhe mund të infektojnë njëri-tjetrin.
Askush nuk mban maskë në stadium, kjo gjë më çudit shumë. Duhet t’ia nisim nga e para: të vaksinohemi, të lajmë duart, të respektojmë distancën sociale dhe të mbajmë maska”, deklaroi trajneri spanjoll i “Cityzens”.



