Bonucci: Ronaldo e di mirë me kë përballet, dua t’i bëj një dhuratë fëmijëve
Italia nuk ia doli të kualifikohej drejtpërdrejtë nga grupet për në fazën finale të Botërorit 2022 që do të zhvillohet në muajin nëntor në Katar e në këtë formë duhet të kalojë nga peripecitë e Play-Off, teksa shorti e vendosi përballë Maqedonisë së Veriut ndërsa në rast se kalojnë përfaqësuesen ballkanase atëherë në ndeshjen finale mund t’i presë Portugalia e Cristiano Ronaldos e cila më parë duhet të kalojë Turqinë.
Së fundmi, rreth kësaj teme ka folur Leonardo Bonucci i cili thekson se ka folur me Ronaldon rreth një përballje të mundshme në Play-Off, teksa shton se dëshiron të kualifikojë Italinë si një dhuratë për fëmijët e tij.
“Kam folur me Cristiano Ronaldon dhe kemi bërë shumë shaka në lidhje me një përballje të mundshme Portugali-Itali. Do ta shohim se çfarë mund të ndodhë në fushë, por Cristiano e di mirë kë do të ketë përballë.
Italia në Botëror do të ishte edhe një dhuratë për fëmijët e mi të cilët ende nuk e kanë parë kombëtaren e tyre në një Botëror. Në muajin mars do të grumbullohemi sërish me kombëtaren dhe e di që do ta shikojmë me vëmendje se çfarë bëmë gabim në vjeshtë dhe kështu do të luajmë dy ndeshje shumë të mira.
E dimë që në Europian ia dolëm mirë, por tashmë e kemi lënë pas dhe do të duhet të fokusohemi në të ardhmen, për detyrimet e reja që kemi”, u shpreh Bonucci.



