“Basti” i fituar i Laçit, Zarubica rrëfehet në Mal të Zi: Jemi ekipi më i mirë, nuk e di nëse qëndroj
Dejan Zarubica ka rezultuar një nga prurjet më të mira të verës jo vetëm për Laçin, por edhe për kampionatin shqiptar. Sulmuesi nga Mali i Zi ia ka dalë të shënojë gjashtë gola në 11 ndeshje me kurbinasit duke e ndihmuar skuadrën të jetë forca e tretë e Superiores. Megjithatë, në një rrëfim të fundit për një media malazeze, 28-vjeçari beson edhe te titulli kampion nëse skuadra vazhdon me ritmin e ndeshjeve të fundit, ndërsa thekson se ka shumë oferta dhe nuk është i sigurt nëse do ta respektoj deri në fund kontratën që e lidh me Laçin.
“Kurrë nuk e kam nisur sezonin si këtu. Më ndali një dëmtim në kyç për dy muaj fatkeqësisht. Kam pasur fatin që të shkoj në një spital të huaj atje dhe klubi ka paguar trajtimin. U ktheva me gola dhe ekipi është ngjitur, pasi nisjes së keqe që i bëmë kampionatit.
Ne kemi fituar 6 në tetë ndeshjet e fundit dhe mes tyre kemi mposhtur edhe Tiranën e Kukësin që janë mbi ne në renditje. Sipas asaj që thonë në Shqipëri, ne jemi ekipi më i mirë aty dhe nëse vazhdojmë me këtë ritëm mund të shpresojmë për titullin kampion. Jemi kualifikuar edhe në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, ku jemi favorit kundër Egnatias që e kemi mposhtur në kampionat së fundmi”
“Laçi është 40 kilometra larg nga Tirana, ku ne qëndrojmë dhe presidenti ka një restorant ku ne ushqehemi. Publiku është i zjarrtë, të mbështet fort, por di edhe të zemërohet. Unë kam marrëdhënie vërtetë të mira me të gjitha. Më kanë pritur në mënyrë fantastike, si mua ashtu edhe Roganovic, i cili luan pas meje në formacion. Ai ka ardhur te Laçi nga OFK Titograd. Është titullar fiks dhe po paraqitet shumë mirë”.
“E ardhmja? Kam një kontratë të vlefshme edhe për një vit e gjysmë, por me bonuse të shumta që më së shumti i kam përmbushur. Jam i kënaqur me kushtet, por më duhet ta pranoj që nuk kam pasur kurrë kaq shumë oferta të mira dhe të shumta nga jashtë, ndaj nuk është e sigurt që do qëndroj te Laçi deri në fund të kontratës. Jam me fat që edhe trajneri është një emër i madh. Mirel Josa e ka çuar Skënderbeun deri në grupet e Europa League”, u shpreh Zarubica.



