Duka: Skema e Superiores garanton rivalitet, diferenca mes ekipeve është e padukshme
Gara për titullin kampion në sezonin që lamë pas ishte vërtetë e luftuar dhe u vendos vetëm në javën e fundit, teksa në intervistën për SuperSport, kreu i FSHF-së, Armand Duka shprehet se kjo skemë garanton të njëjtën betejë edhe në sezonin aktual, ku diferenca mes ekipeve janë thuajse të padukshme.
“Unë mendoj që edhe edicioni aktual do të shfaqë të njëjtën konkurrencë, ndoshta jo deri në javën e fundit, ndonëse unë uroj që titulli të vendoset vetëm në finish, pasi kështu do të jetë më emocionuese. Diferenca mes 8 skuadrave është thuajse e padukshme, por edhe dy të fundit nuk janë larg të tjerave. Është një skemë që dhuron gjithmonë garë të fortë deri në fund dhe vështirë të parashikosh”, deklaroi Duka.
Teuta e Durrësit, qytetit të tij të lindjes dhe Vllaznia që ka për zemër, fituan trofetë sezonin e kaluar, megjithatë kreu i FSHF-së pranon se të gjithëve u është bërë qejfi për suksesin e këtyre ekipeve, që i kanë dhënë shumë futbollit shqiptar.
“Në fakt janë dy klube që kanë kontribute të mëdha në futbollin shqiptar, me Shkodrën që është edhe vendi ku lindi futbolli në Shqipëri. Ka shumë njerëz që e duan futbollin dhe e mbështetin ekipin edhe në momentet më të vështira, ndaj më vjen mirë që u rikthye te trofetë. Mund të kishte fituar edhe titullin, edhe pse moralisht e bëri këtë, pasi e mbylli me pikë të barabarta me Teutën. Edhe këta të fundit kanë goxha kontribute dhe kanë konkurruar në shumë vite. Kam parë edhe SMS-të e drejtorit sportiv të Partizanit, që i shkruanin presidentit të Teutës se u bëhej qejfi për suksesin e tyre në kampionat. Mendoj se të gjithëve na ka gëzuar suksesi i këtyre dy ekipeve”, u shpreh numri një i futbollit në vend.



