Partizani kryen seancën e parë stërvitore pa Dajën, ja kush i drejtoi të kuqtë
Trajneri Ilir Daja nuk është më në krye të skuadrës së Partizanit, teksa rezultatet e dobëta dhe sidomos humbja e fundit në derbi ndaj Tiranës kanë ndikuar drejtpërdrejtë në faktin që palët të mbyllin bashkëpunimin.
Ndërkohë, tashmë pa Dajën, seancën e sotme stërvitore të të kuqve e ka udhëhequr zëvendëstrajneri, Reinaldo Kalari. Ky i fundit, në të kaluarën, për disa kohë ka qenë edhe trajner i parë i Demave, ndërsa ka eksperiencën e duhur për të qenë në krye të ekipit në këtë moment derisa të vijë zyrtarizimi i trajnerit të ri. Ndërkaq, së bashku me trajnerin Daja nga stafi teknik është larguar edhe Artim Pollozhani ndërsa ka qëndruar Ilir Bozhiqi.
Nga an tjetër, vlen të theksohet edhe fakti se në seancën stërvitore ishte prezent edhe drejtori Olsi Rama, i cili ka mbajtur edhe një fjalim para skuadrës si për të mbajtur lart moralin në këtë moment të vështirë. Në këtë pikë të sezonit, Partizani mban vendin e pestë të klasifikimit, 15 pikë larg kryesuesve të Tiranës.



