Duka: Iku koha e trukimeve në Shqipëri, ligji për ata që hyjnë në fushë nuk funksionon
Në intervistën për Supersport, presidenti i Federatës, Armando Duka ka folur për shumë fenomene të futbollit në Shqipëri siç është rasti i infrastrukturës, apo dhunës dhe trukimit të ndeshjeve. Për këtë të fundit, Duka ishte shumë i sigurt se ka ikur ajo kohë dhe nëse ende ekziston sadopak, në vitin 2022 askush nuk do të mund të bëjë diçka për të prodhuar një rezultat jashtë asaj që dikton fusha e blertë.
Baza materiale, topi, terrenet, tarifat dhe trajnerët e fëmijëve, të gjitha të paguara nga federate… Të gjitha këto janë bazë për të patur një rritje të njerëzve që merren me futboll? “Duhet infrastrukturë më shumë, kemi një mungesë të theksuar në Tiranë në raport me numrin e popullsisë. Kemi futur shumë projekte dhe kemi fituar projekte në institucione ndërkombëtare si UEFA, FIFA, BE, por janë pak. Nuk janë si një pikë uji në oqean, por është minimale për atë që kemi nevojë.
Është jashtë mundësive tona, për të pasur hapin e madh cilësor, na duhet mbështetje nga të gjithë. Pushteti qëndror dhe vendor për të hapur terrenet në radhë të parë. Kemi nisur një projekt për 100 fusha, por nuk kemi gjetur terrene sidomos aty ku ka nevojë. Dhe frika është të çojmë infrastrukturë atje ku nuk ka njerëz, terrenet duhen në Tiranë dhe i bëj thirrje atyre që drejtojnë vendin ta bëjnë këtë.
Nuk është çështje lekësh, për buxhetin e shtëtit apo bashkisë janë shumë pak lekë, është më shumë çështje dëshire dhe vullneti. Me terrenet do të bëjmë hap cilësor, kemi stafe të mira, trajnerë të mirë. Federata ka projektin për edukimin e të gjithë llojeve të specialistëve, bashkëpunimin edhe me Universitetin e Sporteve dhe rezultatet do të vijnë. Rezultati nuk është vetëm një klub apo kombëtare, por edhe masiviteti”.
Terreni në ndeshjen e luajtur në Përmet? “Katastrofë dhe papërgjegjshmëri e njerëzve. Ndeshja ka filluar në kushte të pranueshme, por gjatë ndeshjes reshjet e dendura rënduan terrenin dhe duhej ndërprerë ndeshja. Arbitrat, delegatët, zyrtarët dhe klubet të papërgjegjshëm. E gjitha me motivin se duhej ta mbaronin për të mos e luajtur ditë të tjera, a thua se kanë kalendar të ngjeshur se janë në Champions. Kujt i shërben ajo ndeshje?! Kategoria e Dytë nuk ka ndonjë rëndësi të madhe klasifikimi, gabim trashanik”.
Dhuna, sidomos te moshat? Sa ndikoi kuadri ligjor lidhur me këtë aspekt? “Zero, unë nuk kam parë asnjë kuadër ligjor të ketë ndikuar. Falë Zotit nuk kemi pasur ngjarje të rënda. Duhet të shohim çfarë duhet të bëjmë për të sensibilizuar njerëzit. E turpshme që në futbollin e fëmijëve janë prindërit protagonist. Një ego e shfrenuar për të ndikuar në marrëdhënien e fëmijëve në fushë, nuk e di si duhet ta zgjidhim.
Ashtu siç e dërgon fëmijën kur shkon në klasë dhe ia lë mësuesve ta edukojnë, ashtu duhet ta bëjnë edhe në futboll. Konflikti shkon edhe te prindërit mes njëri-tjetrit. Është çështje e shoqërisë, duhet të heqim dorë nga këto. Pastaj masat që marrin komisionet e Federatës duke dënuar një fushë apo sportist nuk janë të mjaftueshme sepse më shumë ka të bëjë me sensibilizimin.
Për t’u kthyer te ligji, ai nuk zbatohet. Ne në diskutimin që bëmë me kryemistrin dhe ai tha kush shkel fushën e gjelbër do të dënohet me tre vite. Fushën e kanë shkelur sa të duash, por nuk janë dënuar as tre ditë, nuk dua të dënohet njeri, por të mos shkelet fusha.
Kemi bërë një superstadium me të gjitha kushtet dhe në çdo derbi ka pasur firo 500 stola. I kanë paguar klubet ato, por edhe klubet nuk janë të pasur dhe as ne nuk jemi të pasur. Tifozët kanë kushte shumë të mira dhe t’i shijojnë ato kushte, le të fitojë më i miri dhe kaq.
Mund të ketë shfrenim të gjuhës por pse të thyejmë stola, ne jemi relativisht të varfër. Ne pa policinë nuk mund të bëjmë asgjë, policia është e gatshme të na ndihmojë në organizimin e ndeshjeve. Nuk ka pasur efekt, nuk është zbatuar ligji. Vetëm zbatimi i ligjit do të bëjë atë që bëri Anglia. Në fillim bënë gardhe dhe kanale, por tashmë i kanë hequr të gjitha sepse funksionon ligji”.
Trukimi i ndeshjeve është një histori e mbyllur në futbollin tonë? “Është një histori e minimizuar drejt zeros, por jo e mbyllur. Kemi shumë pak tentativa dhe jam i sigurt se brenda këtij viti do t’i anulojmë, nuk do të ketë shans askush të bëjë trukim në Shqipëri. Ta harrojë edhe ai që mund ta ketë menduar. Iku koha e asaj punë, luani futboll. Askush nuk do ta gëzojë ai, nëse ekziston pak, në vitin 2022 nuk do të ketë shans ta bëjë askush”, u shpreh Duka.



