Brozovic një hap larg rinovimit, Onana mbërrin në Milano për vizitat mjekësore
Andre Onana është gjithnjë e më pranë Interit. Portieri kamerunas i Ajaxit pritet të mbërrijë gjatë ditës së sotme në Milano, ku do të kryejë vizitat mjekësore dhe më pas të firmosë kontratën 5-vjeçare me klubin zikaltër.
Gardianit 25-vjeçar i skadon kontrata me Ajaxin në fund të sezonit dhe që prej fillimit të vitit ka të drejtë të vendosë vetë për të ardhmen, që do të jetë në Itali, pikërisht me kampionët në fuqi, ndonëse nën urdhrat e Simone Inzaghit do të vihet vetëm në muajin qershor.
Kamerunasi pritet të marrë vendin e titullarit, pasi Handanovic nuk ofron më garancitë e duhura mes shtyllave dhe kapitenit pritet t’i ofrohet rinovimi me përgjysmim page, në mënyrë që të qëndrojë si portier i dytë.
Përveç portës, zikaltrit po punojnë edhe me rinovimet, teksa në ditët e ardhshme pritet një tjetër takim me babanë-menaxher të Marselo Brozovic, të cilit i skadon kontrata në fund të sezonit, por te Interi nuk duan ta humbin.
Mesfushori kroat ka kërkuar 8 milionë euro në sezon, ndërsa zikaltrit kanë shkuar deri në 6 milionë euro në sezon plus bonuset, ndaj gjasat janë që në ditët e ardhshme të ketë “tym të bardhë” edhe në këtë drejtim.
Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për kroatin tjetër, Ivan Perisic, të cilit gjithashtu i skadon kontrata këtë verë. Me 33 vite mbi supe, kroati kërkon kontratën e fundit të rëndësishme dhe synon një pagë prej 6 milionë eurosh, për tre sezonet e ardhshme.
Nga ana tjetër te Interi i ofrojnë rinovim 2-vjeçar, me vetëm 4 milionë euro në sezon dhe për këtë arsye, Perisic duket se do të presë oferta të tjera, pasi dëshiron të përfitojë maksimalisht nga kontrata që mund të jetë e fundit e karrierës së tij.



