Sekreti i suksesit dhe pika më e fortë, Bernardo Silva “zbërthen” Pep Guardiolën
Pep Guardiola vazhdon të mbetet një trajner i veçantë dhe fitues. Spanjolli i Manchester City, një ndër më të mirët në qarkullim prej vitesh në profesionin e tij, sidomos prej stilit të futbollit që praktikon, është “zbërthyer” nga Bernardo Silva.
27-vjeçari portugez, autor i 8 golave dhe 2 asisteve në këtë sezon me “Cityzens” në të gjithë kompeticionet, e vlerëson shumë trajnerin spanjoll dhe tregon sekretin e suksesit të tij në prononcimin e dhënë për A Bola.
“Pep Guardiola ka disa karakteristika të veçanta, mund ta thuhet se është shumë i kompletuar si trajner. Nuk dua të përmend emra, por unë kam punuar me trajnerë që ishin shumë të aftë në aspektin taktik, ama ishin shumë të dobët në marrëdhëniet njerëzore.

Ose e kundërta: ka trajnerë shumë të mirë në aspektin njerëzor dhe raportin me lojtarët, por që janë copë copë taktikisht. Unë mendoj se pika më e fortë e Guardiolës, përveç faktit që ka qenë një futbollist i nivelit të lartë që i jep atij një perspektivë të gjithçkaje që ne lojtarët ndiejmë, aspekti teknik i tij është shumë i fortë.
Sigurisht që ai nuk mund t’u pëlqejë të gjithëve, është e vështirë të ndodhë kështu në një skuadër me një kontingjent të madh lojtarësh, por Pep ia del ta menaxhojë në perfeksion një gjë të tillë.
Ai ul në pankinë lojtarë të rëndësishëm dhe megjithatë nuk krijohen probleme të mëdha nga zgjedhjet e tij. Kjo është dëshmi se sa i mirë është ai në menaxhimin e skuadrës”, deklaroi Bernardo Silva.
Quiz Cat: No Quiz found



