Shevchenko drejt largimit, Genoa piketon zëvendësuesit e mundshëm
Me tre barazime, 6 humbje dhe asnjë fitore në 9 ndeshje si trajner i Genoas, Andriy Shevchenko është me valixhet gati për t’u larguar, pasi drejtuesit e klubit ligur po punojnë për të gjetur pasuesin e tij.
Aktualisht ukrainasi është në izolim për shkak të koronavirusit dhe në rast të një tamponi negativ, do të ulet në pankinë për ndeshjen ndaj Milanit në Kupën e Italisë, për të drejtuar për herë të fundit klubin kuqeblu.
Pikërisht te kuqezinjtë e Milanos, Shevchenko ka shkruar kapitujt më të bukur të karrierës së tij si futbollist, duke fituar trofe të shumtë si protagonist në sulm.
Aktualisht drejtuesit e Genoas po negociojnë me emra si Bruno Labbadia dhe Rudy Garcia, teksa i pari shihet si ekspert shpëtimi nga rënia.
Paralelisht po punohet edhe për përforcimin e skuadrës në merkato, pasi kanë arritur marrëveshjen për të marrë në huazim Calafiorin nga Roma.



