VIDEO/ Liverpool rikthehet te fitorja, super Harrison nderon Leeds United
Liverpool rigjen fitoren në Premier League pas tre ndeshjesh pa pikë të plota, ndërsa Leeds United befasoi West Ham e vendit të katërt në Londër. “The Reds” triumfuan 3-0 në fushën e tyre kundër Brentford, duke u ngjitur në vendin e dytë me 45 pikë.

Manchester City kryesues është 11 pikë larg, por ekipi i Jurgen Klopp ka luajtur një takim më pak se kampionët në fuqi. Miqtë rezistuan mirë deri në minutën e 44-t, moment kur Fabinho shënoi me kokë dhe kaloi Liverpool në avantazh.
Alex Oxlade-Chamberlain realizoi golin e dytë për ekipin e tij në minutën e 69-të, duke finalizuar një aksion shumë të bukur, ndërsa pati festë edhe për Takumi Minamino, i cili dërgoi topin në rrjetë në minutën e 77-të pas një asisti të Firminhos.

West Ham doli pa pikë nga sfida shtëpiake kundër Leeds United. Skuadra e Marcelo Bielsa triumfoi 2-3. Jack Harrison shënoi dy herë për ekipin mik në pjesën e parë, teksa Jarrod Bowen barazoi përkohësisht rezultatin për West Ham.
“Çekiçët” rikthyen sërish baraspeshën me anë të spanjollit Pablo Fornals në minutat e para të fraksionit të dytë të sfidës, por Jack Harrison ishte në një ditë të shkëlqyer, realizoi golin e tretë personal pas një ore lojë dhe i dhuroi tre pikë fantastike Leeds United.




