Featured

Dy ndeshje pa fitore, Kukësi synon kthesën ndaj Skënderbeut

Kukësi – Skëndërbeu do të jetë sfida e vetme e ditës së diel në “Abissnet Superiore”, me takim që do të luhet në “Loro Borici” duke filluar nga ora 16:45. Dy skuadra të ndryshme në këtë sezon, në renditje dhe objektiva, por sa i përket formës, korçarët kanë bërë më mirë se verilindorët në pesë ndeshjet e fundit, ndërsa e përbashkët është se të dyja ekipet vijnë pas 2 ndeshjesh pa fitore.

Kukësi vjen në këtë sfidë pas humbjes përballë Dinamos, ndërsa në javët e fundit ka humbur terren në garë për titullin kampion sepse tani Tirana është 6 pikë larg. Në pesë ndeshjet e fundit, skuadra e Longos ka koleksionuar vetëm 5 pikë, me 1 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje.

Është koha për autokritikë, jo vetëm për ecurinë e fundit, por edhe për faktin se në fazën e parë Kukësi u mund në Korçë nga Skëndërbeu. Skuadra e Kukësit është e plotë në këtë duel, ndërsa Longo buzëqesh për faktin se ndaj Skënderbeut do të ketë në dispozicion edhe blerjet e janarit, Musta, Gligorov dhe Shkurtaj.

Skuadra e Memellit në krahun tjetër ka koleksionuar 8 pikë në pesë javët e fundit dhe më mirë se korçarët kanë bërë vetëm Tirana dhe Laçi. Skënderbeu vjen pas tre rezultateve pozitive, një fitore dhe dy barazime, por në këtë edicion tetë herë kampionët e Shqipërisë kanë vuajtur në transfertë.

Vetëm tre pikë, tre barazime, nuk japin shpresë, por momenti e dënon Skënderbeun të tentojë maksimumin dhe pse përballë është një nga pretendentët për titull kampion. Ashtu si Kukësi edhe korçarët vijnë të plotë në këtë duel, duke pasur luksin për të bërë edhe ndryshime në formacion me afrimet e janarit siç mund të jetë Frashëri.

Ashtu si momenti edhe takimet e fundit direkte flasin në favor të Skënderbeut, që ka fituar tre nga pesë të fundit, kundrejt dy sukseseve të verilindorëve dhe për tu theksuar fakti se në 5 ndeshjet e fundit janë shënuar 15 gola. Në 41 takimet e fundit direkte, Skënderbeu kryeson minimalisht me 16 fitore kundrejt 15 të Kukësit, ndërsa 10 takime kanë përfunduar në barazim.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency