Sevilla lë dy pikë në shtëpi, Celta “flirton” me fitoren
Sevilla lë pikë në garën për titull në të dytën ndeshje radhazi. Skuadra andaluze barazoi 2-2 me Celta Vigon në “Sánchez Pizjuán”, duke humbur mundësinë për ta ngushtuar në vetëm një pikë diferencën me Realin e Madridit. Një ndeshje me dy “fytyra” për Sevillan, që pësoi dy gola gjatë pjesës së parë. Në të minutën e 37-të realizoi Cervi dhe vetëm tri minuta më vonë dyfishoi epërsinë Aspas.
Vendësit u zgjuan gjatë fraksionit të dytë, duke tundur rrjetën dy herë brenda tri minutave (71’ dhe 74’) me Papu Gomez dhe Torres. Minutat e fundit ishin “të ethshme”, me dominimin e dukshëm të Sevillas, por rezultati nuk ndryshoi më, me Celtan që arrin të marrë një pikë në një stadium ku do ta kishin shumë të vështirë skuadrat më të mëdha në Spanjë.



