Derbi nën 0°C/ Zbulohen arbitrat, ja sa tifozë priten në shkallët e stadiumit
Java e 17 e Abissnet Superiores do të mbyllet pikërisht në mbrëmjen e sotme në “Air Albania”, me super-sfidën Dinamo-Tirana, derbi i kryeqytetit që luhet për herë të katërt në harkun e pak muajve, pasi të dy skuadrat u përballën edhe në Kupën e Shqipërisë.
Për vetë rëndësinë e takimit, arbitrimi i derbit i është besuar kryesorit Eldorian Hamiti, i cili do të asistohet nga Ilir Tartaraj dhe Emigers Ganxhi, ndërsa gjyqtar i katërt do të jetë Ardian Beqiraj. Në sallën VAR do të jetë Enea Jorgji, i cili do të asistohet nga Ridigert Çokaj.
Derbi i kryeqytetit është planifikuar të startojë në orën 19:45 në “Air Albania”, teksa për shkak të të ftohtit që po kalon vendi, pritet që temperaturat gjatë ndeshjes të jenë nga -1 deri në -4 gradë celsius.
Pikërisht për shkak të temperaturave mjaft të ulëta, por edhe për shkak të shtimit të masave për hyrjen në stadium, në shkallët e “Air Albanias” pritet të ketë një numër shumë të vogël tifozësh.
Gjithsesi derbin e kryeqytetit, Dinamo-Tirana do të keni mundësi ta ndiqni live dhe ekskluzivisht në ekranin e SuperSport 3, ku nuk do të mungojë as emisioni dedikuar futbollit shqiptar, “Gol pas Goli”.



