Vjen uji, Skënderbeu-Teuta do të luhet… me top të kuq
Ndeshja mes Skënderbeut dhe Teutës do të luhet. Sistemi i furnizimit me ujë në dhomat e zhveshjes ka nisur të funksionojë, kështu që delegati i ndeshjes, Uvil Zajmi, pas konsultave me zyrtarët e të dyja skuadrave ka vendosur që ndeshja të nisë rreth orës 14:15.
Terrenit shumë të vështirë për shkak të reshjeve të dëborës dhe temperaturave shumë ulëta iu shtua një problematikë tjetër. Në dhomat e zhveshjes nuk funksiononte rrjeti i ujit, për shkak të ngrirjes së tubave. Delegati i ndeshjes, Uvil Zajmi, e kishte bërë të qartë se nuk ishin kushtet për t’u luajtur, edhe pse dy klubet donin “ta hiqnin qafe” këtë sfidë, përtej kushteve të vështira. Për fat të mirë, gjithçka iu kthye normalitetit.
Fusha e stadiumit “Skënderbeu” është e tëra iembuluar nga një mantel i bardhë (dëborë), i ngrirë nga temperaturat shumë të ulëta, që e bëjnë të pamundur pastrimin total. Në këto kushte, është vendosur që ndeshja do të luhet me top të kuq, ndërsa vijëzimet e fushës janë bërë me tallash.
Temperatura në momentin e nisjes së ndeshjes nuk do të jetë më shumë se 1 gradë, por në përfundim të lojës pritet të shkojë disa gradë nën zero.




