Muller “shigjetë” Ancelottit: Me të Bayerni në konfuzion!
Carlo Ancelotti gjatë karrierës së tij, ka patur shumë lojtarë që për të përdorur një shprehje figurative do të hidheshin në zjarr për të, por nga ana tjetër ka gjetur përballë edhe lojtarë me personalitet që nuk e kanë pranuar. Një rast i tillë vjen nga Bayern Munich, ku Ancelotti qëndroi në stol vetëm një vit e pak muaj. Një nga arsyet ishin divergjencat me senatorët, dhe në veçanti njërin prej tyre.
Dikush që Guardiola e konsideronte të domosdoshëm por me italiani nuk gjeti kurrë shumë hapësira, Thomas Muller. Gjermani është konsideruar shpesh si një nga liderët e fushatës që çoi në pushimin nga detyra të Ancelottit, dhe deklaratat e vetë Muller duket se konfirmojnë se në fakt edhe opinioni i tij ka ndikuar. Muller shpjegon se përse paraqitjet e tij nuk ishin më të njëjtat pas lamtumirës së Guardiolës.
“Për mënyrën se si luaj unë, struktura e skuadrës është shumë e rëndësishme. Duhet të funksionojë gjithçka në perfeksion. Unë jam një ingranazh, vë në funksion të totales cilësitë dhe karakteristikat e mia, dhe në këtë mënyrë mund ta ndihmoj skuadrën të përmirësohet. Nuk do të jem kurrë një nga ata lojtarë që shkojnë dhe marrin topin në zonën e tyre dhe driblojnë tre kundërshtarë”.
Dhe struktura për të cilën flet Muller me Ancelottin nuk ekzistonte. Përkundrazi, sipas tij te Bajerni mbretëronte një lloj konfuzioni në kohën kur Pep Guardiola i la vendin Ancelottit.
“Kur ia dilnim të kishim stabilitet apo të kontrollonim lojën, për mua ishte më e lehtë të kisha një impakt pozitiv. Dhe në vitet pas lamtumirës së Guardiolës nuk ja dolëm. Përkundrazi, disa herë na dukej vetja si në “Perëndimin e Largët”. Gjithçka për të cilën kishim luftuar si Bayerni i Mynihut, nuk ishte më. Egzistonte përshtypja se mund të ndodhte gjithmonë gjithçka. Ndoshta për spektatorët kjo ishte më argëtuese”.
Por sigurisht që nuk ishte argëtuese për Muller, që edhe pse nuk përmend drejtpërdrejtë Ancelottin, lë të kuptohet se në Bavari pati një revoltë kundër tij.



