Tre klube të Superiores solidarizohen me kreun e FSHF-së, duke i ofruar mbështetjen e tyre!
Klubet e Superiores solidarizohen me presidentin e Federatës Shqiptare Armando Duka pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në shtëpinë e tij në Durrës. Në derën e shtëpisë të numrit 1 të futbollit shqiptar u vendos një sasi eksplozivi pak ditë më parë me shpërthimin që për fat të mirë kaloi pa probleme duke sjellë vetëm disa dëme materiale. Për këtë ngjarje pas FIFA-s dhe UEFA-s janë solidarizuar me Dukën edhe tre klube të Abissnet Superiores, Kastrioti, Kukësi dhe Skënderbeu. Ja postime e këtyre tre klubeve në rrjetet sociale.
“KS Kastrioti solidarizohet me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së hënës, ku një shpërthim me tritol pranë shtëpisë së Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka tronditi jo vetëm atë dhe familjen e tij, por mbarë komunitetin e futbollit shqiptar. Klubi ynë dënon me ashpërsi këtë akt të paprecedentë dhe fton organet kompetente të zbardhin këtë ngjarje të shëmtuar.
Shohim ditët e fundit një ndërhyrje flagrante të politikës në futboll. E ftojmë të qëndrojë larg sportit tonë dhe të distancohet nga çdo ndërhyrje në procesin zgjedhor, ku komuniteti i futbollit do të vendosë vetë për drejtuesin e FSHF-së për 4 vitet e ardhshme. Politika nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë vend në futboll!”.
“Futboll Klub Kukësi i gjendet pranë Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dhe familjes së tij, pas aktit të rëndë të së hënës, ku një lëndë eksplozive shpërtheu në shtëpinë e tij në Durrës. Klubi ynë shpreh solidaritetin tonë të plotë me kreun e FSHF-së në këto çaste të vështira dhe urojmë që autorët të vihen para drejtësisë sa më parë”!
“Klubi i Skënderbeut dëshiron të shprehë të gjithë mbështetjen e tij dhe të solidarizohet me Presidentin e FSHF-së, Armand Duka. Sulmi me eksploziv në shtëpinë e tij të hënën ishte një ngjarje shumë e rëndë që na ka tronditur pa masë dhe që vjen në një moment delikat, kur komuniteti i futbollit është në mesin e një procesi zgjedhor për organet drejtuese. I bëjmë thirrje organeve të drejtësisë që të zbulojnë dhe të dënojnë sa më parë autorët dhe frymëzuesit e këtij sulmi të rëndë. Sulmi ndaj Presidenti Duka është njëkohësisht dhe sulm ndaj futbollit. Për këtë arsye ne jemi të indinjuar për këtë akt skandaloz dhe i bëjmë thirrje politikës që të qëndrojë larg futbollit dhe të mos ndërhyjë në proceset zgjedhore. Presionet dhe shantazhet ndaj aktorëve të futbollit duhet të ndalen një orë e më parë”.
Quiz: Gjeni lojtarët në foto…
Testoni njohuritë tuaja mbi lojtarët e Premier League...



