Bilanci/ Tirana mbyll fazën e dytë, shënon më pak, por Bekaj me shokë “kyçin” portën
Në mbrëmjen e së dielës, në stadiumin Air Albania, Tirana ka mposhtur me rezultatin e pastër 4-0, një nga rivalet e saj të drejtpërdrejta në garën për titull siç është Kukësi. Bardheblutë nuk e vendosën në diskutim trepikëshin teksa iu gëzuan golave të Seferit dhe Xhixhës (2 për secilin).
Tashmë, kryeqytetasit kanë një diferencë prej nëntë pikësh nga Kukësi dhe kryesojnë më të qetë, ndërsa vlen të përmendet se sfida e Air Albania, mbylli edhe fazën e dytë për të besuarit e trajnerit Orges Shehi. Në fakt, tashmë tekniku 44-vjeçar mund të bëjë edhe njëlloj bilanci të të tijve, edhe pse të gjitha kartat për të mbërritur te titulli numër 26 duken të vendosura në perfeksion.
Kështu, nëse bëjmë një krahasim me fazën e parë të Tiranës, vihet re se bardheblutë kanë shënuar katër gola më pak duke qenë se në nëntë javët e para të kampionatit e gjetën rrugën e rrjetës në 19 raste, ndërsa në fazën e dytë, u ndalën në kuotën 14.
Gjithsesi, kjo diferencë bëhet e padukshme në momentin që mbrojtja ka pasur një përmirësim të ndjeshëm. Nëse në fazën e parë Tirana pësoi tetë gola, në këtë fazë të dytë, Bekaj me shokët e tij të repartit dhe jo vetëm vendosën të “kyçnin” portën teksa në nëntë javë kanë pësuar vetëm tre gola. Ose thënë ndryshe, statistikisht Tirana pëson një gol në tre ndeshje.
Sakaq, ata që kanë shkëlqyer në repartin ofensiv janë të njëjtët në të dyja fazat e para të kampionatit teksa lider është Taulant Seferi me pesë gola në secilën fazë. Ndërkohë, një kontribut të madh ka edhe Redon Xhixha, i cili ka shënuar nga katër gola për secilën fazë.

Kështu, statistikat “kokëforte”, janë të rreshtuara në anën e Tiranës me ekipin e drejtuar nga Shehi që i duhet thjesht të jetë një fotokopje e vetes së saj në gjysmën e dytë të kampionatit për të shndërruar në realitet objektivin titull.



