Nga VAR-i te golat, fitoret, penalltitë dhe kartonët! Statistikat e dy fazave të para në Superiore
Ka përfunduar gjysma e sezonit në Abissnet Superiore. Tirana kryeson kampionatin me 40 pikë, gjashtë më shumë se Laçi ndjekës. Supersport ka analizuar detaje të veçanta të asaj që ka ndodhur në 18 javë kampionat.
VAR-i është risia e këtij sezoni. Teknologjia ka shërbyer për të përmirësuar vendimet e gabuara të arbitrave. 23 herë ka ndërhyrë VAR-i në fazën e parë dhe 12 herë në fazën e dytë.
Faktori fushë është zbehur, edhe falë faktit që shumë ekipe nuk i kanë luajtur në stadiumet e tyre sfidat si pritëse. Në fazën e parë u regjistruan 15 fitore vendase, 18 barazime dhe 12 triumfe të skuadrave udhëtuese.
Ndryshe në fazën e dytë, pasi ekipet pritëse morën pikët maksimale në 21 raste, 11 duele u mbyllën pa fitues, ndërsa 13 përballje përfunduan me sukseset e ekipeve mike.
Sa i përket penalltive, në fazën e parë u akorduan 18, nga të cilat 15 u kthyen në gola. Më pak penallti në fazën e dytë, konkretisht vetëm 8.
Ndryshime ka edhe në lidhje me kartonët e verdhë dhe të kuq. Në fazën e parë arbitrat nxorën nga xhepi 210 herë të verdhin dhe 15 herë të kuqin. Më pak në fazën e dytë: 169 kartonë të verdhë dhe 10 të kuq.
Edhe gola pati më shumë faza e parë. Në nëntë javët e para të kampionatit u realizuan 116 gola (2.57 gola për ndeshje), ndërsa në fazën e dytë shijuam vetëm 87 gola (1.93 gola për ndeshje).
Quiz/ Sa mirë e njihni Ligue 1?



