Teuta e Arapit synon suksesin e radhës, këtë herë përballë Partizanit
Teuta dhe Partizani e nisnin këtë sezon me pretendim titullin kampion. Këtë të shtunë, pas gjysmës së kampionatit, përballen si dy skuadra të mesit të tabelës, me titullin utopi, por me shpresën që në gjysmën e dytë të bëjnë më mirë duke patur si objektiv edhe pse shumë të komplikuar Europën.
Për këtë arsye në të dy klubet drejtuesit kanë bërë ndryshime në drejtim, me misionin që tani është mbi supet e Renato Arapit dhe Dritan Mehmetit, duke bërë edhe ndërhyrje në merkato.
“Të kuqtë” vijnë në përvjetorin e 76 vjetorit të themelimit të klubit legjendar, pas 3 ndeshjeve pa fitore, teksa në të fundit u mundën në transfertën e Lacit në një sfidë me shumë mungesa për Dritan Mehmetin që pret deri në orën e fundit për të parë nëse mund të ketë në dispozicion Sten Junior e Sherif Kallakun- ishin e madh të sfidës, ndërsa prezenca e Bitrit në konferencën për shtyp është një sinjal pozitiv për rikthimin e mbrojtësit.
Me vetëm 1 gol në 3 takimet e fundit, problemi në kampin e kuq mbetet finalizimi, detaj që u evidentua dhe në sfidën me Laçin ku disa raste të pashfrytëzuara mund të kishin ndryshuar rrjedhën e takimit. Vuan në sulm edhe Teuta, që ka investuar pikërisht në këtë repart, duke marrë Hebajn, dhe Dacin, që mungon në këtë takim pasi u ndëshkua me karton të kuq, ashtu si dhe Jackson që vazhdon të jetë i dëmtuar, ndërsa në të ardhmen shpreson të ketë dhe kontributin e Jahmir Hykës.
Teuta vjen me një frymë më pozitive, duke qenë se i ka fituar dy ndeshjet e fundit, në Kupë e kampionat në shifrat identike 1-0 ndaj Skënderbeut megjithatë klasifikimi qan, ashtu si në kampin e kuq, ndaj dhe në “Elbasan Arena” përplasen ambiciet e dy skuadrave për të gjetur më në fund ritmin e shumëpritur në një kampionat deri tani poshtë pritshmërive.



