Kategoria Superiore

Statistika të jashtëzakonshme, Laçi pretendent për titullin kampion

Përballja me Vllazninë ishte barometri më i mirë për Laçin, që arriti të marrë maksimumin e pikëve ndaj një rivali që nuk njihte humbje në 11 ndeshje në kampionat. Bardhezinjtë kanë marrë 8 fitore në nëntë ndeshjet e fundit në Abissnet Superiore, duke barazuar vetëm me Skënderbeun në transfertë gjatë kësaj periudhe.

Të besuarit e Mirel Josës jo vetëm që kanë impresionuar me rezultatet, por po ashtu kanë bindur me lojën e zhvilluar. Diferenca me Tiranën është vetëm 6 pikë, e me 17 javë deri në fund të edicionit asgjë nuk është e pamundur. Diçka të tillë e dinë më së miri kurbinasit, pasi mjafton që të kthehemi në fillim të këtij edicioni, për të kuptuar se asgjë nuk është e pamundur.

Në pesë javët e para, bardhezinjtë grumbulluan vetëm 2 pikë, asokohe duke u renditur në vendin e fundit të renditjes, e ishte e vështirë që dikush ta llogariste Laçin në garë për Europën, aq më tepër për titullin kampion. Javë pas jave, Laçi arriti të rikuperonte pozicionin në tabelën e klasifikimit dhe sot e sheh veten si skuadra më pranë kreut, duke i parë bardheblutë e Shehit 6 pikë larg.

Rank Teams Played Points
1 Tirana 36 73
2 Laçi 36 63
3 Partizani 36 58
4 Vllaznia 36 55
5 Kukësi 36 55
6 Teuta 36 50
7 Kastrioti 36 43
8 Egnatia 36 35
9 Dinamo 36 29
10 Skënderbeu 36 26

Pavarësisht se tek bardhezinjtë mundohen të tregohen të kujdesshëm dhe nuk duan që të të nxitohen me deklarimin e objektivit titull. Shifrat janë në favorin e tyre e me të drejtë mund të konsiderohen skuadra anti-Tirana. Në 7 ndeshjet e fundit të zhvilluara në stadiumin e Laçit, kurbinasit jo vetëm që kanë mundur që të marrin maksimumin e pikëve, por asnjë prej kundërshtarëve nuk ka mundur që t’i ndëshkojë.

Krahas meritës së gjithë skuadrës, paraqitje të kënaqshme ka dhuruar dhe portieri Dajsinani, i cili po tregon se ky mund të jetë sezoni i tij, duke u shndërruar një siguri për bardhezinjtë.

Ekipi i Josës po ashtu garon dhe në Kupën e Shqipërisë ku do të kërkojë një biletë për në gjysmëfinale ndaj Egnatias në ndeshjen që do të luhet të enjten, pas ndeshjes së parë që ka dalë 1-1. Laçi është shembulli që tregon se gjërat e pamundura rrallë ekzistojnë, me një ekip që deri më tani po i bën gjërat ashtu siç duhet, duke ndjekur Tiranën kryesuese e duke tentuar edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë.

Quiz/ Sa mirë e njihni Ligue 1?


Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency