Featured

“Analizë Superiore”/ Si ndryshon loja e Laçit pa Lushkjen e Shehun

Laçi vuajti përballë Vllaznisë, por në fund ia doli të merrte tre pikët pas suksesit 1-0 falë golit të Saliou Guindo me penallti. Bardhezinjtë renditen në vend të dytë me 37 pikë, gjashtë më pak se Tirana kryesuese.

Ekipi kurbinas kishte disa mungesa. Regi Lushkja u shit te moldavët e Sheriff Tiraspol, ndërsa Julian Shehu ishte i pezulluar me kartonë. Në krah të Ardit Deliut në mesfushë, i cili mbajti për herë të parë shiritin e kapitenit, u aktivizuan Serxho Ujka dhe Klinti Qato.

Të dy luftuan fort dhe dhanë maksimumin, por mesfushës bardhezi i mungoi klasi dhe saktësia. Një gjë e tillë dallohet në statistikat e “Analizë Superiore”, emision që transmetohet çdo javë në Supersport nën drejtimin e Sokol Xhihanit dhe Fation Bardhit, videoanalistit të Shqipërisë U19.

Laçi kreu 273 pasime në total në fitoren ndaj shkodranëve – e teta në nëntë ndeshjet e fundit – nga të cilat vetëm 188 shkuan në destinacionin e duhur. Një shifër e ulët pasimesh krahasuar me shifrat me të cilat jemi mësuar nga bardhezinjtë.

Plot 85 pasime gabim, duke konfirmuar se largimi i Lushkjes dhe mungesa e Shehut ndikuan në uljen e saktësisë së kurbinasve, që gjithsesi siguruan maksimumin në një përballje tepër të fortë. Te Laçi pritet edhe debutimi i Sebastian Spahiut, mesfushorit 22-vjeçar të Shqipërisë U21, i cili ka ardhur për të mbuluar boshllëkun e krijuar nga largimi i kapitenit.

Quiz/ Sa mirë e njihni Ligue 1?


Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency